Fillon punimet Asambleja e PS-së, Klosi: Nisim përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit, përcaktohen kriteret për kandidatët vendorë

Politikë | 6 minuta më parë

Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit, me fokus organizimin në të gjithë territorin dhe përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve dhe këshilltarëve bashkiakë.

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, që po zhvillohet në Gjirin e Lalzit, fjalën hapëse e ka mbajtur Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Blendi Klosi, i cili prezantoi pikat kryesore të rendit të ditës.

Klosi bëri të ditur se një nga çështjet kryesore është lançimi i procesit elektoral dhe përcaktimi i mënyrës se si Partia Socialiste do të organizohet në të gjithë vendin në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.

“Një pikë shumë e rëndësishme në rendin e ditës është lançimi i procesit elektoral për PS-në, përgatitja jonë në të gjithë territorin, mënyra dhe kriteret për përzgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë, si dhe puna dhe dakordësia që duhet të kemi për të gjitha procedurat që do të ndiqen nga sot deri në ditën e zgjedhjeve”, tha Klosi.

Mbledhja e Asamblesë po zhvillohet për momentin pa praninë e mediave. Pas fjalës hapëse dhe diskutimeve të socialistëve, pritet që kryeministri Edi Rama t’u drejtohet anëtarëve të Asamblesë me fjalimin e tij, ku pritet të përcaktojë drejtimet politike dhe organizative të PS-së për procesin elektoral.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme