Financimet ruse në PD, Berisha: Rama përdori dosjen për të marrë peng Bashën

Çështja e financimeve ruse në PD në kohën kur kjo drejtohej nga Lulzim Basha ka marrë sërish vëmendjen e Sali Berishës, i cili është vendosur në krye të partisë me zgjedhjet që zhvilloi Rithemelimi. Gjatë një bashkëbisedimi me shqiptarët në Itali, Berisha thotë se Rama ka përdorur pikërisht hetimin mbi këtë dosje për të marrë peng ish kreun e opozitës.
“Lulzim Bashës pasi i kishte hapur dosjen për financime ruse, dhe ishte zotuar shqiptarëve se do ti shkonte në fund hetimit, përdori hetimin për të marrë peng ish- kreun e opozitës. Unë ju them se PD është partia e parë politike në Europë”, tha Berisha.
Berisha ka akuzuar sërish Ramën se filorus dhe i kërkon Europës mos t’i bëjë presion Vuçiçit për të vendosur sanksione.
“Edi Rama është avokati i vetëm i politikës filoruse. Mbron aksin Beograd-Moskë. I kërkon Europës mos t’i bëjë presion Vuçiçit për sanksione. Shqipërinë e ka shndërruar në një vasal të Beogradit. Rama në vitin e dytë të qeverisjes ka prishur 9 mijë objekte dhe biznese duke i nxjerrë njerëzit në rrugë”, tha Berisha.
Berisha vlerësoi edhe rolin e antimafias italiane për goditjen e krimit të organizuar në dy anët e Adriatikut. Sipas tij vetëm falë antimafies italiane sot është në burg ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa shton se nëse do ishte për Shqipërinë, Tahiri do të ishte bërë zv.kryeministër.
“Italia jep një kontribut në luftën ndaj krimit të organizuar në të dy anët e Adriatikut. Antimafia italiane ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në betejën kundër mafies shqiptare. Po të mos ishte antimafia italiane, Saimir skafisti do të ishte mbi zv/kryeministër të paktën. Ne ju jemi mirënjohës sepse ata bëjnë një luftë kundër organizatave kriminale që dëmtojnë interesat e qytetarëve italianë dhe shqiptarë”.
Ai foli edhe për shqiptarët e suksesshëm në Itali që me punë kanë mundur të ngrenë biznese dhe të nderojnë kombin e tyre edhe gjatë emigrimit.
“I shpreh një mirënjohje të thellë qeverisë dhe kombit italian për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto dekadat e fundit. Ndihmat e mëdha të këtij vendi mik kanë pasur një rol mjaft të rëndësishëm në ecjen e Shqipërisë në rrugën e tregut dhe të demokracisë.
Nuk ka asnjë vend tjetër në të cilën emigracioni shqiptar të ketë arritur në një kohë të shkurtër sukseset e mëdha që kanë arritur emigrantët në Itali. Sot janë dhjetëra mijëra biznese të suksesshme, të vogla, të mesme e të mëdha që drejtohen nga shqiptarët.
Janë dhjetëra mijëra studentë që studiojnë në universitet e Italisë. Sot janë dhjetëra mijëra shqiptarë që janë në Shqipëri dhe investojnë pasi kanë krijuar disa kapitale dhe kanë marrë njohuritë për bizneset. Italia dhe Shqipëria kanë një lidhje miqësore shumë të ngushtë”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



