Financimet ruse/ Pas Ballës edhe Rama kërkon verifikim: Provoni se nuk punoni me dy standarde

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama kërkon verifikim ligjor dhe fillimim e hetimeve për lidhjet ruse të Monika Kryemadhi.

Kreu i qeverisë ironizoi opozitën duke shkruar në rusisht: “Ах, рубли, рубли, каким большим дьяволом всегда были…” (Përkthimi në shqip: Oh, rubla, rubla, çfarë djalli i madh kanë qenë gjithmonë”.

Mesazhin në Twitter e vijoi: “Po ç’paskeni qenë o rubla që na i morët me radhë me motra e me vëllezër opozitarë! Po ato konto bankare ofshor çfarë janë vallë se këtyre u mbinë në gojë ofshoret, po i paskan pasur të tyret shejtanët e shejtanet…” 

Verifikimin e quan domosdoshmëri dhe provë se drejtësia nuk funksionon me dy standarde.

 Verifikimi ligjor i atyre letrave të pista dalë në mexhelis në ekranet e mëdha kombëtare është domosdoshmëri dhe drejtësia duhet të provojë se nuk punon me dy standarde, siç punojnë altoparlantët e llojllojshëm të lukunisë kinse opozitare që për këto tmerre as nuk bëzajnë fare!”- vijon Rama në twitter.
 
Një reagim i cili erdhi pak orë pasi një kërkesë e tillë u theksua edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist në një prononcim për median në kryesinë e Kuvendit.  

Zoti Taulant Balla, tha se prokuroria duhet të kishte nisur hetimet dhe se Kryemadhi vetë duhet të kishte dalë në deklaratë për mediat me një sqarim të detajuar pasi rezulton e lidhur me aksionerë që janë në listën e zezë të SHBA.

“Rreth 5 vite më parë kam dalë në mënyrë të rregullt para jush për një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Lidhet me faktin se dhe Shqipëria ka qenë target i penetrimit të financimeve të paligjshme nga kompani guacka, off shore, të cilat financonin parti politike apo politikanë të caktuar. Ajo që ka zbuluar media, ose ka vijuar, e djeshmja është një panoramë e plotë. Është skema e mirëfilltë e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve, përmes biznesmenëve përfitues të fondeve nga borderotë e Putin të kenë financuar politikanë të caktuar në vende të ndryshme të Evropës. Një rast në Gjermani, Austri dhe më së shumti në vendet edhe të rajonit dhe ish-bllokut komunist. Përpjekja është e qartë, lidhja me politikanë të caktuar për të dëmtuar demokracinë në ato vende dhe për të krijuar një front pro-rus në këto vende.

Janë disa pyetje që mendoj vetë, pa humbur kohë, që në orën 8 të mëngjesit, Kryemadhi duhet të kishte dalë dhe të sqaronte këto çështje. Si ka mundësi që gjendesh në këto dokumente zyrtarë dhe rezulton aksionere, se po je përfitues dividenti e di se je aksioner, në momentin që të transformohen para je aksioner. Aksioner me kë? Media ka nxjerrë emrat se i ke në listat e zeza të SHBA për shkak dhe të sanksioneve të vendosura pas agresionit rus në Ukrainë, ne jemi subjekt veprimtarive të kontrollit të pasurive, ne deklarojmë çdo llogari bankare brenda dhe jashtë vendit. Në cilin vend të Evropës do dilte një  politikan i këtij niveli, në kohën në fjalë dhe bashkëshorte e Presidentit që paske një llogari off shore.
E mbani mend Panama Papers çfarë tërmeti shkaktoi?, tha sot Balla.

Artikuj të publikuar në disa media akuzojnë Monika Kryemadhin se ka marrë financime nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës. Deputetja e Partisë së Lirisë ka deklaruar se do shihet në gjykatë me këto media. 

Ndërkohë në shtator 2022 qeveria amerikane publikoi të dhënat e një raporti nga komuniteti amerikan i zbulimit, sipas së cilit Rusia kishte  financuar fshehurazi prej 8 vjetësh parti e kandidatë në dhjetëra vende, për të ndikuar demokracitë nga brenda.

Sipas informacionit të raportit, në vitin 2017 Rusia i dha gjysmë milionë dollarë Partisë Demokratike përmes kompanive fantazmë.

Ish kryetari i PD-së në atë periudhë, Lulzim Basha, e mohon që të ketë marrë financime të huaja, aq më pak nga Rusia. Ndërsa grupimi i përkrahësve të ish kryeministrit Sali Berisha deklaruan dje se ky ishte një akt personal i zotit Basha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme