Fitorja e Bidenit, brohoritje dhe zhgënjim

Në kryeqytetin Uashington, ndërsa përhapej lajmi për fitoren e kandidatit demokrat Joe Biden, kudo filluan të dëgjohen brohoritje dhe duartrokitje. Shumë njerëz u binin borive të makinave në rrugët kryesore, të tjerë kishin dalë në ballkone dhe bënin zhurmë duke u rënë enëve të kuzhinës.
Zhurma bëhej gjithnjë e më e fortë sa më shumë njerëz mësonin lajmin. Disa qanin. Të tjerë kishin ngritur muzikën me këngë si “We are the champions” (Ne jemi kampionët).
Turma njerëzish, shumica me maska në fytyrë, vërshuan drejt Shtëpisë së Bardhë për të festuar jashtë perimetrit të sigurisë, ndërkohë që në largësi dëgjohej zhurma e fishekzjarreve.
Mbështetësit e Presidentit Trump reaguan me zhgënjim dhe dyshim, duke theksuar detyrën e vështirë me të cilën përballet zoti Biden për të bërë për vete shumë amerikanë në zonat rurale, të cilët besojnë se zoti Trump ishte presidenti i parë që qeverisi duke patur në zemër interesat e tyre.
Demonstrues të zemëruar pro-Trump, me parrullën “Ndal vjedhjes”, u mblodhën në ndërtesat e kapitolit të shteteve Miçigan, Pensilvani dhe Arizona. Protestuesit në Feniks brohorisnin “Duam auditime!” “Ne do të fitojmë në gjykatë!”
Nuk pati shenja dhune apo trazirash dhe protestat pro-Trump më pas u zbehën,
Para ditës së zgjedhjeve, Presidenti Trump refuzoi të angazhohej në një transferim paqësor i pushtetit nëse humbiste dhe deklaroi fitore shumë më përpara se të mbaronte numërimi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




