Flamur Noka: Brenda majit do zgjidhet kryetari i ri i PD

Politikë | 5 vite më parë

Deputeti Flamur Noka deklaron se brenda muajit maj Partia Demokratike do ketë kryetarin e saj të ri. I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24 Noka tha se në prill do mblidhet kuvendi për zgjedhjet e organeve të partisë, më pas do vijojë me zgjedhjet e kryesisë dhe sekretariatit dhe në muajin maj do zgjidhet kryetari me parimin një anëtar një votë.

“PD është në një proces dhe nuk e shikoj si problem ndarjen dhe grupimet që në konceptin e ri do mbeten fraksione në parti”, tha Noka duke nënkuptuar afër 10 deputetë që mbështesin ish-kryetarin Lulzim Basha dhe kryetarin e komanduar Enkeled Alibeaj. Noka tregoi se ka patur një takim të gjatë me Enkeled Alibeaj dy ditë më parë dhe ndonëse nuk kanë patur dakordësi për shumë çështja, bërja e opozitës së fortë ndaj qeverisë i bashkonte. “Nuk duket aq e përçarë dhe e ndarë PD siç e paraqesin ekranet. Ka mosmarrëveshje me këtë gripim që janë rreth 10 deputetë por duhet të dini që në bazë bashkimi dhe pajtimi pothuajse është i kryer. Më shumë problem kanë qenë degët e atyre qyteteve që ishin në zgjedhje më 6 mars dhe që u ndanë në dy grupime, por edhe kjo tashmë është e kapërcyer.”, tha Noka.

I pyetur nëse Gjykata e Apelit mund të ndryshonte vendimin për Komisionin e Rithemelimit, Noka tha se kjo nuk mund të ndodhë sepse nuk ka palë në këtë proces.

Deputeti Flamur Noka sqaroi edhe çështjen e zyrës së shtypit të PD e cila ditët e fundit është shoqëruar me disa ndryshime. “Së pari dua ta theksoj se zyra e medias në PD ka patur disa ndryshime por nuk ka patur asnjë largim. Floriana Garo është emëruar drejtoreshë dhe ajo ka nisur nga organizimi i punëve. Është hequr nga Whatsapp dhe aksesi aty Desada Metaj, e cila nuk ka punë me zyrën e shtypit sepse është anëtare e AMA-s. Së dyti nuk është hequr askush nga puna. Patrik Sadikaj dikur drejtor aty, tani është specialist i thjeshtë por nuk është hequr nga puna. Heqja e tij nga grupi i whats app lidhej vetëm me faktin që ishte drejtor. Aty janë të gjithë ata që kanë punuar më parë, Elona Meçe, Silvi Bardhi e të tjerë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme