Flamurtari fiton Kupën e Shqipërisë

Flamurtari ka triumfuar në mënyrë dramatike në finalen e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, duke bërë të vetin trofeun e dytë të koshit shqiptar të vajzave.
Në fakt, finalja që u zhvillua të enjten pasdite në Pallatin e Sportin “Flamurtari” në Vlorë dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë disa përmbysje të shifrave, që kulmuan në një finale dramatike në sekondat e fundit, që u dhuroi vendaseve edhe trofeun. Ka qenë Partizani më mbizotërues në 10-minutëshin e parë, duke e fituar atë me një epërsi të bollshme, 24-16 dhe, ndonëse vlonjatet reagojnë dhe e fitojnë atë të dytin 20-18, janë kryeqytetaset që shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me rezultatin e përgjithshëm 42-36.
Megjithatë, Flamurtari ka dalë më i motivuar nga dhomat e zhveshjeve, duke e fituar 10-minutëshin e 3-të me rezultatin 25-19 dhe duke bërë që, pas një gjysmë ore lojë, shifrat të barazohen në 61-61. 10-minutëshi i katërt dhe i fundit ka parë të dyja skuadrat të shkëmbejnë kryesimin e rezultatit, por në fund, është 3 pikëshi i Ornela Lalajt që e çon Partizanin në epërsi 79-78.
Por, teksa koha po përfundonte për Flamurtarin, është kapitenia Tea Memushi që rrëmben një top 12 sekonda para fundit dhe, teksa e ka humbur mundësinë e parë, në të dytën realizon në sekondën e fundit dhe u siguron vlonjateve fitoren 80-79 dhe bashkë me të edhe trofeun, përtej protestave të lojtareve dhe stafit të Partizanit, që nuk ka pranuar më pas të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së trofeut.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




