Fluksi i makinave nga zonat bregdetare, policia: Në asnjë moment nuk ka pasur bllokim të lëvizjes

Drejtoria e Policisë Rrugore, nisur nga fluksi shumë i madh i lëvizjes së automjeteve nga zonat bregdetare drejt Tiranës dhe Morinës, ka rritur prezencën e shërbimeve në akset rrugore nacionale dhe në ato hyrëse në qendrat urbane.
Policia Rrugore njoftoi të dielën se, njëkohësisht, po monitorohen me dronë akset nacionale për të parandaluar parakalimet e gabuara që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore dhe për bllokim të lëvizjes së lirë të automjeteve.
“Për shkak të fluksit të madh, ka ngadalësim të lëvizjes në akset rrugore Shëngjin-Lezhë-Milot, Gjiri i Lalëzit-Vorë, Rrogozhinë-Bradashesh, dhe Librazhd-Bradashesh, por në asnjë moment nuk ka bllokim të lëvizjes. Fluks të shtuar ka dhe në rrugët inter-urbane Durrës-Tiranë dhe Elbasan-Tiranë.”, njofton policia.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e automjeteve të qëndrojnë në radhë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të respektojnë shpejtësinë në akset që nuk ka fluks të shtuar si dhe të përdorin rrugë alternative.
Shërbimet e Policisë Rrugore po përdorin të gjitha mjetet logjistike për të monitoruar qarkullimin, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe eliminimin e vonesave apo bllokimeve për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




