FMN: Ekonomia shqiptare rritet me 3.7 %, ndikim turizmi dhe pasuritë e paluajtshme!

Ekonomi | 4 vite më parë

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi konsultimin e Nenit IV me Shqipërinë, njofton ATSH.

Përmes një deklarate zyrtare, bëhet e ditur se rritja reale e PBB-së pritet të arrijë në 3.7 % në vitin 2022, si pasojë e aktivitetit të fuqishëm në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe shërbime.Theksohet se kjo rritje pritet të ngadalësohet në vitin që vjen, duke reflektuar kushtet më të shtrënguara financiare, ngadalësimin në Evropë.

Nga ana tjetër, Bordi i FMN thekson se inflacioni është rritur gjatë 2022, dhe se do të rikthehet në objektivin e BSH-së prej 3 % vetëm në mesin e 2024.

Bordi i FMN parashikon që borxhi të bjerë në rreth 64 % në vitin 2027.

Drejtorët ekzekutivë përgëzuan autoritetet për reagimin e tyre vendimtar të politikës ndaj goditjeve të shumta që nga viti 2019 dhe mirëpritën rimëkëmbjen e vazhdueshme ekonomike. 

Drejtorët mirëpritën planin e autoriteteve për të arritur një ekuilibër primar në vitin 2023 dhe theksuan nevojën për një konsolidim fiskal afatmesëm më ambicioz, i mbështetur nga një strategji e shëndoshë afatmesme e të ardhurave, e cila duhet të finalizohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtejshme. 

Drejtorët bënë thirrje për shtimin e përpjekjeve për të rritur transparencën dhe besueshmërinë fiskale, për të përmirësuar menaxhimin e financave publike dhe për të forcuar monitorimin dhe menaxhimin e rrezikut fiskal. 

Drejtorët inkurajuan Bankën e Shqipërisë (BSH) të vazhdojë normalizimin e politikës monetare të mbështetur nga të dhënat, në kushtet e presioneve të vazhdueshme inflacioniste, duke ruajtur fleksibilitetin e kursit të këmbimit. 

Drejtorët mbështetën përpjekjet e vazhdueshme të BSH-së për të përmirësuar rregullimin dhe mbikëqyrjen financiare dhe për të rritur rezervat e kapitalit. Prania e bankave me aksione të konsiderueshme nga individë dhe grupe jofinanciare kërkon gjithashtu vigjilencë të shtuar në mbikëqyrje.

Drejtorët theksuan se avancimi i reformave strukturore do të jetë kritik në zhbllokimin e potencialit të rritjes së Shqipërisë dhe mirëpritën hapjen e diskutimeve të pranimit në BE, të cilat duhet të kontribuojnë në progresin e reformave. Në këtë drejtim, drejtorët bënë thirrje për përparim të qëndrueshëm në reformat në drejtësi dhe antikorrupsion dhe theksuan rëndësinë e një daljeje të përshpejtuar nga lista gri e FATF.

Drejtorët ranë dakord se kapaciteti i Shqipërisë për të shlyer fondin është i mjaftueshëm dhe nuk panë nevojë për një zgjatje të Vlerësimit të Pas-Financimit përtej shkurtit 2023.

 

( Sipas ATSH )


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme