Franca e përfshirë nga trazirat/ Kush ishte 17-vjeçari algjerian që u vra nga policia, nëna: Vetëm atë fëmijë kisha

Botë | 3 vite më parë

Vrasja e 17 vjeçarit Nahel M ka shkaktuar trazira në të gjithë Francën, si dhe në qytetin e Nanterre në perëndim të Parisit, ku Nahel u rrit.

Ai u rrit i vetëm, nga nëna e tij, kishte punuar si shofer transporti dhe luante regbi. Edukimi i tij ëshët përshkruar si kaotik, teksa ai u regjistrua në një kolegj në Suresnes jo shumë larg vendit ku jetonte, me qëllim që të bëhej elektricist.

Ata që e njihnin Nahelin, i cili ishte me origjinë algjeriane, thanë se ai ishte shumë i dashur në Nanterre, ku jetonte me nënën e tij Mounia ndërsa babain e tij nuk e kishte njohur kurrë.

Në kolegj ai kishte rezultate të dobëta.  Nahel kishte qenë problematik edhe më parë dhe ishte një personazh i njohur për policinë. Por avokatët e familjes shprehen se ai nuk kishte precedentë penalë.

Para se të largohej për në punë ai kishte puthur nënën duke i thënë: Të dua mami!.

Pak pas orës nëntë të mëngjesit të së martës ai u qëllua për vdekje në timonin e një makine Mercedes teksa u përpoq t’i largohej kontrollit të policisë, duke qenë se ai ishte i mitur për t’i dhënë makinës.

“Çfarë do të bëj tani?” pyeti nëna e tij. “I kushtova gjithçka”, tha ajo. “Unë vetëm një kam, nuk kam 10 fëmijë. Ai ishte jeta ime, shoku im më i mirë”

Ndërkaq gjyshja e tij e konsideroi atë si një “djalë të sjellshëm, e të mirë”.

“Të mos t’i bindesh policisë nuk do të thotë që policia të të vrasë” tha kreu i Partisë Socialiste franceze, Olivier Faure.

“Të gjithë fëmijët e Republikës kanë të drejtë për drejtësi”, u shpreh ai.

Nahel kishte kaluar tre vitet e fundit duke luajtur për klubin e regbi Pirates of Nanterre. Ai kishte qenë pjesë e programit të integrimi për adoleshentët i drejtuar nga një shoqatë e quajtur Ovale Citoyen.

Programi kishte për qëllim t’i fuste të rinjtë nga zonat e privuara në praktikë dhe Nahel po mësonte të bëhej elektricist.

Presidenti i Ovale Citoyen, Jeff Puech, ishte një nga ata që e njihte më së miri.

Ai e kishte parë atë vetëm pak ditë më parë dhe foli për një “fëmijë që përdorte regbinë për të kaluar kohën”.

“Ai ishte dikush që kishte vullnetin për t’u përshtatur në aspektin shoqëror dhe profesional, jo një fëmijë që merrej me drogë ose argëtohej nga krimi i të miturve,” tha Puech për Le Parisien.

Ai vlerësoi “qëndrimin shembullor” të adoleshentit, shumë larg asaj të cilën ai e dënoi si një atentat ndaj tij që është bërë në rrjetet sociale.

Ai e kishte njohur Nahelin kur jetonte me nënën e tij në periferinë Vieux-Pont të Nanterres.

Menjëherë pas vdekjes së tij, një punonjës i ambulancës, Marouane, akuzoi policinë ndërsa shpjegoi më vonë se ai e njihte djalin sikur të ishte vëllai i tij i vogël.

Ai e kishte parë atë të rritej si një fëmijë i sjellshëm dhe i dobishëm.

“Nahel kurrë nuk ka ngritur dorën ndaj askujt dhe nuk ka qenë kurrë i dhunshëm” u tha ai gazetarëve.

Nëna e tij beson se oficeri i policisë që e qëlloi “pa një fytyrë arabe, një fëmijë të vogël dhe donte t’i merrte jetën”.

Ajo tha për France 5 TV se fajëson vetëm personin që e qëlloi, jo policinë: “Kam miq që janë oficerë – ata janë me mua me gjithë zemër”

“Allahu e mëshiroftë”, shkruhej në një pankartë të shpalosur mbi unazën e Parisit jashtë stadiumit Parc des Princes.

Por avokati i familjes, Yassine Bouzrou, tha se kjo nuk ishte për racizëm, por për drejtësi.

“Ne kemi një sistem ligjor dhe gjyqësor që mbron oficerët e policisë dhe krijon një kulturë të mosndëshkimit në Francë”, tha ai për BBC.

Nahel kishte qenë subjekt i pesë kontrolleve policore që nga viti 2021, ndërsa në ngjarjen e fundit refuzoi t’i bindej urdhrit të ndalimit të policisë.

Kur u ndalua nga policia, ai drejtonte një Mercedes me targa polake, me dy pasagjerë dhe pa leje drejtimi.

Fundjavën e kaluar, ai thuhet se ishte vendosur në paraburgim dhe do të dilte para një gjykate për të mitur në shtator.

Emri i tij ishte në dosjen e policisë të quajtur Taj, e përdorur nga autoritetet për një sërë hetimesh.

Shtatorin e kaluar një gjyqtar vendosi një “masë disiplinore” ndaj tij.

Pjesa më e madhe e problemeve që lidheshin me të kishin të bënin me drejtimin e automjeteve pa leje drejtimi dhe përdorimi i targave false.

“Por Nahel nuk ishte dënuar kurrë”, tha avokatja e familjes Jennifer Cambla, dhe nuk kishte precedentë penalë. “Të qenit i njohur për policinë nuk ishte njësoj si një precedent penal, sepse ai kurrë nuk ishte gjykuar për ndonjë gjë të shënuar në dosjen e tij të policies”, tha ajo për TV francez.

“Unë mendoj se në këtë lloj periferie është shumë e rrallë që një i ri të mos jetë ndaluar nga policia ose të mos jetë në paraburgim” tha zonja Cambla.

Trazirat që ka shkaktuar vdekja e tij janë një kujtesë për ngjarjet e vitit 2005 në Francë kur dy adoleshentë, Zyed Benna dhe Bouna Traoré, u goditën nga rrufeja teksa po iknin policisë pas një ndeshjeje futbolli. Ata u përplasën me një nënstacion elektrik në Paris, periferi e Clichy-sous-Bois, transmeton BBC.

“Mund të isha unë, mund të ishte vëllai im i vogël,” i tha një adoleshent Clichy i quajtur Mohammed për uebsajtin francez Mediapart”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme