Frika ndaj një sulmi rus/ Moldavia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme, Polonia shton armatimet

Frika ndaj një sulmi rus siç po ndodh në Ukrainë që prej muajit shkurt ka bërë që fqinjët e saj të marrin masa për t’u përgatitur. Qeveria e Moldavisë ka vendosur të zgjasë me 60 ditë gjendjen e jashtëzakonshme në vend, ndërsa Polonia është furnizuar me arsenal armatimesh shtesë.
Parlamenti i Moldavisë zgjati gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë tjera, pasi Qeveria tha se ka rreziqe të vazhdueshme për energjinë dhe sigurinë kufitare si dhe menaxhimi i valës së refugjatëve nga Ukraina. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë nga 8 gushti deri më 8 tetor. Moldavia nuk është as anëtare e Bashkimit Evropian dhe as NATO-s.
Po për shkak të luftës në Ukrainë Polonia po armatoset. Në marrëveshjet e fundit me Korenë e Jugut ajo ka marrë qindra avionë luftarakë, tanke dhe armë artilerie.
Sipas marrëveshjeve Polonia do të marrë rreth një mijë tanke, rreth 650 topa dhe mortaja dhe 48 avionë luftarakë. Dymbëdhjetë avionët e parë luftarakë të tipit FA-50 planifikohet të mbërrijnë në Poloni në vitin 2023 dhe do të zëvendësojnë avionët e vjetër të prodhimit sovjetik.
Polonia, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë dhe politikë të Ukrainës.
Rreth 500.000 banorë të Ukrainës kanë ikur nga shteti i tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin në muajin shkurt, ku peshën më të madhe të refugjatëve e mbajnë Moldavia dhe Polonia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




