Frikë nga një sulm rus, Letonia u kërkon banorëve të kthejnë bodrumet në strehimore

Botë | 3 vite më parë

Autoritetet në Letoni u bënë thirrje banorëve për t’i kthyer bodrumet në strehimore për sulme ajrore. Ky udhëzim i autoriteteve është tregues se vendi baltik i trembet faktit që mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.

Ish-republika sovjetike, tani anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndan një kufi 214 km me Rusinë dhe ka qenë një nga mbështetësit më të besueshëm të Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë.

“I bëjmë thirrje të gjithëve të sigurohen që bodrumet të mund të përdoren si strehë në rast emergjencash”, tha kryebashkiaku i Rigas, Vilnis Kirsis.

Kryebahskiaku shtoi se edhe punonjësit e bashkisë do të bëjnë të njëjtën gjë për objektet që i përkasin qytetit.

Gints Reinsons, kreu i një komisioni të mbrojtjes civile të Rigës, tha se “bodrumet e ndërtesave publike, shkollave, shtëpive të të moshuarve, spitaleve dhe bashkive do të inspektohen nga autoritetet të cilat do t’i përgatisin ato për të shërbyer si vende fshehjeje në rast të një sulm.”

Në mars, kryeministrja letoneze Evika Silina e krahasoi Rusinë me “një të dehur të paparashikueshëm”.

“Ne jetojmë pranë një fqinji, i cili, le të themi, është si një i varur nga alkooli ose droga, veprimet e të cilit nuk mund t’i parashikojmë,” tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme