Fundoset varka me emigrantë në Kanalin Anglez, 4 viktima, shpëtohen 43 persona

Një varkë e vogël emigrantësh është fundosur në Kanalin Anglez, pranë Kentit, ndërsa dyshohet se për pasojë kanë humbur jetën të paktën 4 persona, si dhe janë shpëtuar 43 të tjerë persona. Ende nuk dihet kombësia e emigrantëve të cilët ishin pjesë e bordit të varkës.
Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ndërsa varkat e shpëtimit dhe rojet bregdetare kanë nisur operacionin e shpëtimit. Në operacionin e shpëtimit u përfshinë gjithashtu helikopterë të Rojës Bregdetare dhe një nga Marina Franceze.
Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, reagoi në lidhje me ngjarjen, teksa tha se “mendimet e saj të përzemërta” ishin me familjarët e viktimave.
“Jam në dijeni të një incidenti shqetësues në Kanal këtë mëngjes dhe jam duke u përditësuar vazhdimisht ndërsa agjencitë përgjigjen dhe urgjentisht përcaktojnë faktet e plota”, shtoi Braverman. Qeveria britanike tha se “të gjitha agjencitë përkatëse” ishin të përfshira në trajtimin e incidentit.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak reagoi duke shprehur trishtimin për viktimat. Sipas Sunak, ngjarja tragjike duhet të shërbejë si kujtesë se bandat kriminale po vënë në rrezik jetën e njerëzve të dëshpëruar dhe se po përfitojnë nga mjerimi i tyre.
“Jam i sigurt që e gjithë Dhoma do të ndajë dhimbjen time për përmbysjen e një varke të vogël në Kanal në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe tragjik. Zemrat tona shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe nderimet tona për ata që janë përfshirë në operacionin e gjerë të shpëtimit. Është një kujtesë se bandat kriminale që drejtojnë ato rrugë vënë në rrezik jetën e të dëshpëruarve dhe përfitojnë nga mjerimi i tyre. Ata duhet të ndahen dhe të sillen para drejtësisë”, tha ai.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




