Gazetaret e burgosura në Iran fitojnë çmimin më të lartë të OKB-së

Botë | 4 vite më parë

Kombet e Bashkuara njoftuan se çmimi më i lartë për lirinë e shtypit iu dha tre gazetareve të burgosura në Iran, “për përkushtimin e tyre ndaj të vërtetës dhe llogaridhënies”.

Gazetarja e parë fituese e çmimit ishte Niloufar Hamedi, e cila nxori lajmin për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini shtatorin e kaluar, ndërsa ishte ndaluar nga policia e moralit se nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës. Fituesja e dytë është gazetarja Elaheh Mohammadi, e cila shkruajti për funeralin e zonjës Amini.

Fituesja e tretë është Narges Mohammadi, e cila punoi për shumë vite si gazetare dhe është ndër aktivistet më të njohura të Iranit.

Çmimi për Lirinë e Shtypit në Botë, i Organizatës së OKB-së për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), ka marrë emrin e Guillermo Canos, një gazetar kolumbian që u vra përpara zyrave të gazetës së tij në Bogota në vitin 1986.

Ndërsa rreth 100 gazetarë u arrestuan gjatë demonstratave, raportimet e gazetareve Hamedi dhe Mohammadi ishte vendimtare në ditët pas vdekjes së zonjës Amini për të përhapur lajmin për zemërimin që pasoi. Zonja Hamedi punonte për gazetën reformiste “Shargh”, ndërsa zonja Mohammadi punonte për gazetën reformiste “Ham-Mihan”.

Arrestimet e tyre kanë ngjallur kritika ndërkombëtare lidhur me goditjen e përgjakshme të forcave të sigurisë që zgjati disa muaj pas vdekjes së zonjës Amini. Sipas UNESCO-s, gazetaret Hamedi dhe Mohammadi janë në burgun Evin të Iranit që nga muaji shtator, dhe zonja Hamedi mbahet në izolim citon VOA

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme