Gazment Bardhi për opozitën e përçarë në zgjedhje: Kush nuk do bashkimin, i shërben kokë e këmbë Edi Ramës

Politikë | 4 vite më parë

Gazment Bardhi është i qartë se çfarë rezultati do të ketë opozita në zgjedhje, nëse nuk del e bashkuar me 1 kandidat me logon e PD.

“Personalisht do ta quaja një shans të humbur të opozitës zgjedhjet 2023, nëse nuk shkohet me kandidatë të unifikuar. Për fat të keq është e qartë se çfarë do të ndodhë në zgjedhje. Do të jenë zgjedhje ku betejën demokratët do ta kenë mes vetes dhe fituesi i madh do të jetë Edi Rama.“- i tha zoti Bardhi gazetares Elona Meço gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë”.

Ai nuk heq dorë nga misioni gati i pamundur për kandidatët e unifikuar, por paralajmëron se një rezultat i ndryshëm i shërben vetëm Edi Ramës.

“Personalisht dhe bashkë me kolegët do të bëj gjithçka që të shkojmë të unifikuar në zgjedhje. Nuk dua kurrë të mendoj që niveli i papërgjegjshmërisë në raport me PD dhe demokratët ka arritur deri në atë fazë sa të kërkosh votën e një socialisti dhe të mos arrish të bashkosh demokratët. Nëse betejat me kundërshtarin i kthen në beteja të brendshme në PD je thjesht i papërgjegjshëm, je duke i shërbyer kokë e këmbë Edi Ramës”- tha Gazment Bardhi.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të PD zyrtare nuk ka rëndësi nëse dalin të dytët apo të tretët në zgjedhje me një opozitë të përçarë.

“Humbës është si i dyti, si i treti. Nëse qëllimi është të tregojmë se kush është i dyti dhe i treti, vazhdojmë kështu, por fitues do të jenë kandidatët e Edi Ramës. Nëse sillemi kështu, lëmë Edi Ramën në pushtet në mënyrë të përjetshme”– u shpreh zoti Bardhi, sipas të cilit shumica dhe pakica në PD përcaktohet në procese të brendshme brenda PD, pra në procese zgjedhore me votë brenda institucioneve të PD.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme