Gërdupi: Trump nuk synon aneksimin e Groenlandës, por kërkon kontroll më të madh amerikan
Në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi, avokati Ilia Gërdupi analizoi deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, duke theksuar se qasja e tij shpesh ndryshon nga ajo që shprehet fillimisht.
Sipas Gërdupit, Trump ka një mënyrë të veçantë të artikulimit të politikave, ku shpesh kërkon diçka dhe më pas e riformaton duke e paraqitur rezultatin si një fitore të vërtetë.
“Zakonisht z. Trump i ka riformatuar deklaratat që ka thënë në fillim për çështje të ndryshme, ku kërkon diçka dhe merr një gjë tjetër dhe thotë kjo është më e vlefshme dhe kjo ishte fitorja e vërtetë”, u shpreh ai.
Gërdupi tha se mund të kërkohet një ndërhyrje amerikane dhe një kontroll më i madh në këtë territor.
“Ndoshta kërkohet një ndërhyrje amerikane dhe një kontroll më i madh në Groenlandë, e cila në raport me Danimarkën ka një situatë kushtetuese-ligjore ku varësia është më shumë formale dhe që subvencionohet në mënyrë masive nga buxheti danez, por më së shumti ata vetëqeverisen”, theksoi ai.
Ai shtoi se duket sikur synimi është që administrimi të mos jetë më nga Danimarka, por të ketë një administrim më ndërhyrës nga SHBA.
Megjithatë, Gërdupi u shpreh se nuk beson se Trump synon një aneksim të vërtetë të Groenlandës.
“Unë besoj se ai vërtet nuk do një aneksim të Groenlandës, sepse nuk ka interes. Pasja e një kontrolli më të plotë dhe heqja e kësaj nevoje për të marrë leje mund të bëhet edhe pa u aneksuar dhe besoj se kjo do jetë një synim më i afërt e asaj që kërkohet të arrihet”, u shpreh avokati.
Sipas tij, dhënia e koncesioneve të plota dhe pa kushtëzime do ta rrëzojë idenë e aneksimit.
“Besoj se dhënia e këtyre koncesioneve të plota dhe pa kushtëzuar, besoj se ideja e aneksimit do të rrëzohet”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




