Gjashtë ditë bllokadë, PDK kërkon rikthimin e procesit në Kuvend

Kosovë | 2 muaj më parë

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vijuar për të gjashtën ditë radhazi aksionin e tyre duke bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Aksionit të PDK-së iu bashkuan këtë të enjte edhe deputetë të Aleancës, si dhe drejtues e asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë. Protestuesit kërkuan rikthimin e procesit në Kuvend dhe konstituimin e institucioneve të Kosovës.

Asamblistja e PDK-së nga Vushtrria, Vlera Tahiri, tha se qytetarët e kësaj komune kanë nevojë për investime dhe projekte zhvillimore, të cilat, sipas saj, kërkojnë institucione funksionale.

“Vushtrria ka nevojë për investime, për projekte zhvillimore dhe për një qeveri që i trajton komunat dhe qytetarët me përgjegjësi”, deklaroi Tahiri, duke kërkuar që seanca e Kuvendit të vazhdojë dhe institucionet të konstituohen.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se aksioni do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ajo i bëri thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e institucioneve. “Jemi edhe sot, për të gjashtën ditë radhazi dhe nuk do të ndalemi deri në arritjen ose realizimin e kërkesës sonë”, tha Musliu.

Sipas saj, kërkesa e PDK-së është “kthimi i kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit të shtetit”. Edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi respektimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit.

Kadrijaj deklaroi se askush nuk është mbi ligjin dhe akuzoi Kurtin se po e interpreton Kushtetutën sipas interesit të tij. “Askush nuk është mbi ligjin. E mbi ligjin nuk është as Albin Kurti”, tha ajo. Deputetja e Aleancës paralajmëroi gjithashtu se nëse situata vazhdon, protestat do të përshkallëzohen dhe do të bëhen edhe më masive. Kjo nuk do të ecë, ne nuk do të ndalemi së organizuari deri në konstituimin e plotë edhe të Kuvendit, po edhe zgjedhjen e qeverisë”, u shpreh Kadrijaj.

PDK dhe Aleanca kërkojnë që procesi parlamentar të vijojë sa më shpejt, me konstituimin e plotë të Kuvendit dhe më pas formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme