Gjermania plan për liberalizimin e kanabisit

Ministri gjerman i shëndetësisë zbuloi sot një plan për të dekriminalizuar posedimin deri në 30 gram kanabis, si dhe për të lejuar shitjen e substancës tek të rriturit për qëllime rekreative në një treg të kontrolluar.
“Berlini do të kontrollojë nëpërmjet komisionit ekzekutiv të Bashkimit Evropian, nëse plani i miratuar nga qeveria gjermane është në përputhje me ligjet e BE-së dhe do të vazhdojë me legjislacionin “mbi këtë bazë”, vetëm nëse merr dritën jeshile”,- tha ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach.
Ai tha se rregullat e reja mund të shërbejnë si “një model për Evropën”. Realisht, ato nuk do të hyjnë në fuqi përpara vitit 2024, tha ai.
“Plani kërkon që kanabisi të rritet me licencë dhe t’u shitet të rriturve në pikat e licencuara për të luftuar tregun e zi,”- tha Lauterbach.
Individët do të lejohen të rritin deri në tre bimë dhe të blejnë ose të posedojnë 20 deri në 30 gram marihuanë.
“Nëse legjislacioni vjen siç është planifikuar, “ky do të ishte, nga njëra anë, projekti më liberal i legalizimit të kanabisit në Evropë, dhe nga ana tjetër do të ishte gjithashtu tregu më i rregulluar,”- tha Lauterbach.
Ai tha se “mbrojtja më e mirë e të rinjve dhe e shëndetit” janë synimet kryesore të propozimit të qeverisë.
“Mund të jetë një model për Evropën”, e cila ka një sërë ligjesh shpesh kufizuese, tha ai.
Ministri, i cili vetë ishte skeptik prej kohësh për legalizimin e kanabisit, argumentoi se sistemi aktual nuk po funksionon, me rritjen e konsumit dhe lulëzimin e tregut të paligjshëm.
Ai tha se 4 milionë njerëz në Gjermani, një komb prej 83 milionë banorësh, përdorën kanabis vitin e kaluar dhe një e katërta e moshave 18 deri në 24 vjeç e kanë përdorur atë.
Lauterbach tha se Gjermania nuk donte të imitonte modelin e praktikuar prej kohësh nga Holanda, fqinji veriperëndimor i Gjermanisë. Ai kombinon dekriminalizimin me pak rregullim të tregut.
Gjermania do të shqyrtojë nëse kanabisi mund të konsumohet aty ku shitet, por aktualisht nuk planifikon ta lejojë këtë, tha Lauterbach. E njëjta gjë vlen edhe për shitjen e substancës në formë të ngrënshme.
Dyqanet që shesin kanabis nuk do të lejohen gjithashtu të shesin alkool ose produkte të duhanit dhe nuk do mund të ndodhen pranë shkollave.
“Qeveria nuk ka në plan të vendosë një çmim, por ka ndërmend të vendosë kërkesa cilësore”,- tha ministri i Shëndetësisë.
Ai la të hapur nëse një “taksë kanabisi” mbi dhe përtej taksës standarde të shitjes, e cila mund të përdoret për të financuar informacionin mbi rreziqet e drogës, por tha se produkti nuk duhet të bëhet aq i shtrenjtë sa të mos mund të konkurojnë me tregun e zi.
Plani i kanabisit është një nga një seri reformash të përshkruara në marrëveshjen e koalicionit të vitit të kaluar midis tre partive social liberale në qeverinë e kancelarit Olaf Scholz.
Ata ranë dakord në atë kohë që “efektet sociale” të legjislacionit të ri do të shqyrtoheshin pas katër vjetësh. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




