Gjiknuri prezanton Mirela Kumbaron si drejtuese politike e qarkut Gjirokastër

Politikë | 5 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Qarkun e Gjirokastrës, në kuadër të turit të takimeve prezantuese të drejtuesve politik të qarqeve, pas vendimeve të marra në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Gjiknuri shprehu bindjen se Kumbaro do ta bëjë shumë mirë këtë punë, sepse është shumë e lidhur me zonën, gjë që e tregon dhe vlerësimi e interesi që ajo ka treguar vazhdimisht për Gjirokastrën.

Ai theksoi rëndësinë e riorganizmit në çdo strukturë në mënyrë që kjo familje politike të jetë gati për zgjedhjet vendore.

“Së bashku me Klosin si Sekretar Organizativ do të merremi me riorganizimin, që strukturën e partisë ta mbajmë gjallë dhe zgjedhjet vendore të na gjejnë gati. Nuk duhet që ekuilibri brenda zonës të na largoj nga realiteti. Duhet të jemi në gjendje të bëjmë një analizë të qartë të situatës, sa më reale”, tha Gjiknuri.

Po ashtu, Gjiknuri vuri theksin edhe te rëndësia e votës së emigrantëve. “Vota e emigrantëve është mjaft e rëndësishme. Është mjaft decizive puna me emigracionin sidomos për pjesën e jugut dhe juglindjes”, tha ai.

Ndërkohë, Kumbaro kërkoi që të vijojë më tej puna në terren për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.

“Jemi në mandatin e tretë ndaj dhe pritshmëritë janë edhe më të larta. Na duhet të ecim me dy qasje, një sikur zgjedhjet janë nesër dhe tjetra është që duke pasur pritshmëri shumë të mëdha na duhet të punojmë shumë me bashkitë në terren. I kemi të gjitha shanset ti mbajmë të 7 bashkitë”, tha Kumbaro.

I pranishëm në takim, Sekretari Organizativ, Blendi Klosi u shpreh se puna e strukturave të Partisë Socialiste është një garë e pafund prandaj nuk duhet humbur kohë.

“Puna jonë është si një garë pafund. Jemi pjekur si strukturë, si format, fryma është, kemi vetëm detyrën që të ruajmë këtë harmoni. Pse mos t’i marrim sërish gjithë bashkitë. Patronazhimi ka qenë një mekanizëm i jashtëzakonshëm. Jam i bindur që do e ringremë ku duhet”, tha Klosi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme