Gjuha shqipe në RMV, aktivistja Beqiri: Baza ligjore është e qartë, mungon vullneti politik

Aktualitet | 6 muaj më parë

Studentët protestuan një ditë më parë, në Shkup, Maqedoni e veriut me kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Protesta u mbështet gjerësisht nga qytetarë, si edhe nga shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët iu bashkuan kauzës së studentëve.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Trialog”, aktivistja Liridona Beqiri, i konsideroi kërkesat e studentëve legjitime dhe të mbështetura në ligj.

“Ishte një përkrahje masive e studentëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç asaj që atyre u takon me ligj. Bashkë me ta ishte edhe ndërgjegjja e qytetarëve. Kishte përkrahje masive edhe nga Kosova dhe Shqipëria, që iu bashkuan kësaj proteste”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe nuk është vetëm një debat administrativ, por një standard demokratik i shtetit.

“Është një kauzë që kërkon mobilizimin e të gjithë shqiptarëve për një drejtësi të mirëfilltë, e cila fillimisht është e garantuar me Kushtetutë dhe pastaj me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kur një student mundohet të dëshmojë dijen e tij jashtë gjuhës amtare, nuk vihet në sprovë vetëm profesionalizmi i tij, por edhe vetë standardi demokratik i shtetit”, deklaroi Beqiri.

Sipas saj, baza ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe ekziston, por problemi mbetet te mungesa e zbatimit institucional.

“Ligji për gjuhët është shumë i qartë. Ai duhet të zbatohet në rastin e provimit të jurisprudencës, por edhe në provime të tjera si mjekësia dhe farmacia. Kur shqiptari vendoset përballë një muri gjyqësor përpara karrierës së tij, atëherë nuk mungojnë as protestat dhe as mllefet”, tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme