Gjykata e Hagës lëshoi urdhër-arrest për Putin, parlamenti rus: Të ndalohen aktivitetet e saj në Rusi

Botë | 4 vite më parë

Kreu i parlamentit rus propozoi këtë të shtunën ndalimin e çdo aktiviteti në Rusi të Gjykatës Ndërkombëtare penale pasi kjo e fundit lëshoi një urdhër-arrest për presidentin Vladimir Putin duke e akuzuar atë për krime lufte.

Vyacheslav Volodin, aleat i Putin, tha se legjislacion rus duhej të ndryshohej në mënyrë që të ndaloheshin aktivitetet që gjykata mund të kishte në Rusi dhe të dënoheshin ata që i kanë dhënë ndihmë dhe mbështetje organit gjyqësor ndërkombëtar.

Volodin gjithashtu u shpreh se SHBA kishte marrë masa ndërkohë me ligj për të parandaluar që qytetarët e saj të gjykoheshin nga Haga dhe se Rusia duhet të punonte në këtë drejtim.

“Çdo ndihmë apo mbështetje që gjykatës ndërkombëtare penale mund t’i jepet brenda territorit të Rusisë duhet të jetë e dënueshme me ligj” theksoi ai.

Në fillim të këtij muaji, gjykata e Hagës lëshoi një urdhër-arrest duke akuzuar Putin për krime lufte në lidhje me deportimin e jashtëligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Gjykata u shpreh se kishte baza të arsyeshme për të besuar se Putin kishte përgjegjësi individuale në atë çështje.

Zyrtarët rusë ndërkohë kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për të arrestuar Putin do të konsiderohej si shpallje lufte ndaj fuqisë më të madhe bërthamore në botë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme