Gjykata e Lartë nuk pranoi kërkesën për pezullimin e dënimit të Salianjit, Kaso: Vendim nën presion nga Rama

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, ka reaguar në emër të Partisë Demokratike, lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila nuk pranoi kërkesën për pezullimin e vendimit për dënimin e Ervin Salianjit.
Sipas tij, PD e konsideron si vendimin si ri dënim ndaj ish- deputetit demokrat Ervin Salianji, vendim i cili sipas tij, “është marrë në presionin dhe urdhrat e Edi Ramës.”
“Kundër një vendimi të paligjshëm dhe politikisht të motivuar, trupa e Gjykatës së Lartë, as u ngrit në lartësinë e detyrës dhe as nuk i shërbeu balancave ndërmjet pushteve në Shqipëri të cilat i ka fshirë Edi Rama me një të rënë të lapsit.”, tha Kaso.
Sipas tij, mbajtja në burg e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat është një medalje për të dhe opozitarët, dhe një njollë turpi për qeverinë dhe gjykatat e saj, të cilat e kanë kthyer përndjekjen e eksponentëve të opozitës në gjueti shtrigash.
“Partia Demokratike shpreh edhe njëherë mbështetjen për deputetin e saj dhe për çdo zë opozitar që ngrihet kundër regjimit. PD thekson se nuk ka paqe pa lirimin e të gjithë opozitarëve të mbajtur padrejtësisht në izolim ose në qeli.
Shërbëtorët e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt në gjyqësor nuk mund ta heshtin opozitën dhe as ta detyrojnë atë që, ashtu si ata, të shndërrohet në aneks të pushtetit.”, deklaroi Kaso.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




