Gjykata Kushtetuese vendos për zgjedhjet lokale më 23 qershor

Politikë | 5 vite më parë

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet më 23 qershor në seancë plenare për të vendosur mbi fatin e zgjedhjeve vendore të 2019-ës, që për Presidentin Ilir Meta dhe PD e LSI janë “nul” dhe për PS kushtetuese. Padia në Kushtetuese u dorëzua në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ddrejtuar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

“Pres nga Gjykata Kushtetuese vetëm respektimin e Kushtetuese, jam e kënaqur që si institucion pas reformës së drejtësisë po funksionon tashmë, do të duhet që të verifikojë këtë kërkesë që kemi bërë ne nëse është konformë Kushtetutës apo jo, që do të thotë është leximi i thjesht dhe ligjor i Kushtetutës dhe aplikimi i saj”, deklaroi Ademi në një intervistë televizive pak ditë më parë.

Në korrik të vitit 2019 Shoqata e Bashkive të Shqipërisë paraqiti një ankimim në Gjykatën Kushtetuese ku e konsideroi procesin e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 si antikushtetues për shkak te mungesës se alternativave në zgjedhje.

Procesi i vitit të shkuar kaloi në shumë përplasje politike. Opozita i pati bojkotuar ato, ndërsa Presidenti shtyu me një dekret të ri datën e mbajtjes së tyre me pretekstin se nuk garantohej demokracia dhe stabiliteti i vendit.

Sidoqoftë zgjedhjet u mbajtën më 30 qershor ku Partia Socialiste mori drejtimin e shumicës së bashkive me përjashtim të Bashkisë Shkodër ku Voltana Ademi mbeti në detyrë pas tërheqjes nga marrja e mandatit të kandidatit socialist, Valdrin Pjetri.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme