Gjyqi penal kundër Trumpit, të martën paraqiten argumentet përfundimtare nga prokuroria dhe avokatët

Në Nju Jork të martën rifillon gjyqi ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump. Prokuroria dhe avokatët mbrojtës do të paraqesin argumentet përmbyllëse. Këta të fundit do të kenë mundësinë e tyre të fundit për t’iu drejtuar jurisë në fjalimet e përfundimtare lidhur me çështjen ku Trump akuzohet se ka fshehur një pagesë prej 130 mijë dollarësh për ish-aktoren e filmave për të rritur Stormi Daniels, që ajo të heshtëte rreth një marrëdhënieje intime me Trumpin përpara se ai të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2016.
Qëllimi i argumenteve përmbyllëse është që prokurorët dhe avokatët t’u rikujtojnë anëtarëve të jurisë ato që i vlerësojnë si pika kyçe të procesit. Më pas anëtarët e saj do të tërhiqen për të marrë një vendim mbi çështjen.
Prokurorët mes dëshmitarëve kyç kishin ish-aktoren Stormi Daniels, por edhe ish-avokatin personal të Trump, Majkëll Kohen. Ky i fundit tha se ish-presidenti ishte i përfshirë drejtpërdrejt në dhënien e parave për të blerë heshtjen e Daniels duke miratuar pagesat.
Ndërsa mbrojtja, e cila thirri vetëm dy dëshmitarë, por jo ish Presidentin, do të përpiqet të vërë në dyshim vërtetësinë e argumenteve të prokurorëve.
Për të marrë një vendim dhe që gjykatësi ta pranojë, duhet që të 12 anëtarët e jurisë të kenë qëndrim të unifikuar për akuzat ndaj Trump, por ende nuk dihet se sa kohë do të duhet për publikimin e vendimit.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



