Grabiti më armë pikën e këmbimit valutor te “5 Maji”, zbardhet dëshmia e autorit: E bëra për shkak të borxheve dhe nënës së sëmurë

Aktualitet | 8 muaj më parë

Autori i dyshuar i grabitjes së një pike këmbimi valutor në zonën “5 Maji” në Tiranë, Luan Maçi, 42 vjeç, i arrestuar një ditë më parë, ka pranuar autorësinë e ngjarjes gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit.

Fillimisht, 42-vjeçari ka mohuar përfshirjen në grabitje, por gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti rrobat që dyshohet se ishin përdorur gjatë ngjarjes, të cilat Maçi i kishte futur në lavatriçe për t’i pastruar.

Pas gjetjes së provave, ai ka pranuar se ishte autori i grabitjes, duke deklaruar se e kishte kryer veprimin për shkak të borxheve të shumta dhe gjendjes së rënduar shëndetësore të nënës së tij.

Sipas dëshmisë së tij, grabitjen e kishte planifikuar edhe më herët, por ishte trembur pas një grabitjeje tjetër të ndodhur në zonën e Delijorgjit dhe kishte vendosur ta shtynte planin për një moment tjetër.

42-vjeçari ka deklaruar se shumica e borxheve që kishte marrë lidhej me shpenzimet për trajtimin e nënës së sëmurë.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë, ku nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë në vendngjarje, 42-vjeçari i kishte llogaritur me kujdes lëvizjet e tij. I veshur tërësisht me të zeza dhe me një kapuç në kokë për të shmangur identifikimin vizual, ai i është afruar sportelit duke mbajtur kokën ulur. Nën kërcënimin e një pistolete, ai ka kanosur punonjësen e pikës së këmbimit valutor, duke e detyruar t’i dorëzojë paratë.

Pas marrjes së shumës, grabitësi ka arritur të largohet me shpejtësi nga qendra tregtare duke përdorur një motor për të humbur gjurmët, por ai u arrestua pas disa orësh.

Ai kishte grabitur një shumë prej rreth 3 milionë lekësh, ndërsa përballet me akuzat për “Vjedhje me armë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme