Grada honorifike për sportistët elitarë/ Peleshi: S’do kenë detyrime ushtarake, por vetëm përfitim financiar

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka sqaruar në Komisionin e Sigurisë projektligjin për dhënien e gradave honorifike për sportistët elitarë, nga ku theksoi se nuk bëhet fjalë për detyrime ushtarake si ushtarakët aktivë, por vetëm për përfitim financiar në të njëjtën vlerë me ta. Pelshi bëri me dije se gradat do të fillojnë nga kolonel, nënkolonel dhe deri në major dhe se do të jepen në bazë të një liste meritash.
Ministri theksoi se ky projektligj është propozuar me qëllimin për të forcuar imazhin e Forcave të Armatosura dhe për të nxitur edhe të rinjtë që të rekrutohen.
“Synojnë të vlerësojnë sportistët elitarë të vendit me grada ushtarake honorifike për 2 arsye. Së pari për të kontribuar në forcimin e imazhit dhe dinjitetit të FA. Pjesa më e madhe e sportistëve elitarë janë të punësuar në pozicione të ndryshme brenda FA dhe kuadri rregullator ju mundëson që të zhvillojnë edhe në mënyrë aktive sportin. Ky vlerësim do jetë më dinjitoz duke i dhënë grada honorfike që fillojnë nga kolonel, nënkolonel dhe deri në major, sipas një liste meritash të specifikuar. Na ndihmon në forcimin e imazhit të FA. Ky reputacion i shtuar na ndihmon për ta mbajtur të gjallë forcën tonë që është rekrutimi i të rinjve. Sa më tepër të jetë spikatur FA në opinionin publik, aq më tepër të rinjtë do preferojnë të mbushin radhët tona. Klasa e sportistëve elitarë meriton një shpërblim edhe më dinjitoz edhe më afatgjatë dhe kush e përfiton gradën honorifike do të ketë trajtimin financiar deri në moshën e daljes në lirim. Nuk do kenë detyrime si ushtarakët aktivë. Gradë honorifike nuk do të thotë që kanë detyrime ushtarake si ushtarakët aktiv, por përfitime financiare deri në moshën e daljes në lirim që është njësoj si ushtarakët aktivë”, u shpreh Peleshi.
Po ashtu, Ministri theksoi edhe rastet kur mund të humbet grada honorifike, duke përmendur mbushjen e moshës së lirimit, që do të jetë njësoj me ushtarakët aktivë, dhe thyerjen e etikës profesionale si sportistë.
“Kemi parashikuar edhe sesi humb grada honorifike. Duke qenë që këta sportistë nuk kanë detyrime si ushtarakët aktivë, e humbin me thyerjen e etikës profesionale si sportisë jo si ushtarakë”, u shpreh Peleshi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




