“Grupi për PD”: Dorëheqja e Bashës duhet të jetë akti i parë dhe i menjëhershëm, ka bërë pakt me Ramën!

“Grupi për PD” një bashkim përkrahësish të ish kryetarit të PD dhe ish kryeministrit Sali berisha , ka dalë së fundi me një deklaratë publike ku kërkon dorëheqjen e kryetarit aktual të partisë Lulzim Basha. Dorëheqja kërkohet pas vendimit të të zotit basha për përjashtimin nga grupi parlamentar të deputetit Sali Berisha.
“Vendimi i fundit i Kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike është antistatutor dhe në vazhdën e të gjitha vendimeve antistatutore e antidemokratike të ndërmarra që prej vitit 2017” vlerësohet në një deklaratë të publikuar së fundit.
“Lulzim Basha është përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nëpërmjet pazareve dhe marrëveshjeve fitimprurëse me Edi Ramën, për përfitim personal. “Masakra zgjedhore” ishte alibia e rradhës për të mbuluar këto pazare.
Për këto arsye dhe shumë të tjera, Partia Demokratike duhet të ringrihet dhe reformohet si një parti e djathtë bashkëkohore, me një projekt të ri të bazuar në idealet e themelimit të saj” thekson deklarata e “Grupi për PD”.
“PD-ja e marrë peng duhet ti kthehet demokratëve dhe anëtarësia e saj e gjerë dhe e pandikuar, e pakushtëzuar, duhet të vendosë mbi të ardhmen e saj.
Dorëheqja ose largimi i Lulzim Bashës nga pozitat e Kryetarit në detyrë duhet të jetë akti i parë dhe i menjëhershëm drejt këtij reformimi.
Krijimi i një Këshilli Drejtues të përkohshëm, kthimi i votës dhe i mendimit të lirë në parti, si dhe ringritja e të gjitha forumeve të PDSH-së nëpërmjet zgjedhjeve të lira, janë të domosdoshme për ringritjen e Partisë dhe kthimin e besimit. Reformimi i PD-së do të vijë nga bashkimi i të gjithë kontributeve dhe vlerave ndër vite, konkurenca e lirë dhe meritokracia në Parti. Ne vlerësojmë se Shqipëria ka më tepër se kurrë nevojë për një opozitë të fortë, të pakapur dhe të pandikuar dhe kjo bëhet vetëm me hapjen e Partisë dhe kthimin e institucionit të votës së lirë” përfundon deklarata e “Grupi për PD”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




