Guvernatori i BSH-së Gent Sejko takime me FMN dhe BB: Deeuroizimi krijoi kushte më të mira për një transmetim të politikës monetare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në mbledhjet e Pranverës me Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington theksoi se përballë rritjes së çmimeve të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë, politika monetare u përshtat duke synuar krijimin e kushteve për respektimin e objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të ekonomisë.
Në këto mbledhje guvernatori theksoi se inflacioni në Shqipëri pritet të qëndrojë mbi objektivin e Bankës gjatë vitit 2022, në pasqyrim të goditjeve që vijnë nga çmimet e rritura në tregjet ndërkombëtare, megjithatë, kjo goditje do të ketë efekte të përkohshme.
Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte efektiviteti i politikës të deeuroizimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë me qëllim stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të sistemit financiar.
Kjo politikë krijoi kushte më të favorshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare duke ulur në këtë mënyrë rreziqet për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale, pavarësisht shkallës së lartë të euroizimit të ekonomisë shqiptare.
Përfaqësuesit e FMN-së mbështetën vendimin e Bankës së Shqipërisë për rishikimin e qëndrimit të politikës monetare.
Paralelisht me të, ata nënvizuan nevojën e monitorimit të vazhdueshëm të presioneve inflacioniste dhe, në rast se do të jetë e nevojshme, reagimin e mëtejshëm të politikës monetare për të garantuar respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.
Në kuadër të sfidave aktuale, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se koordinimi midis politikës fiskale dhe asaj monetare është i nevojshëm për të frenuar pasojat ekonomike dhe financiare të luftës në Ukrainë dhe efektet e vazhdueshme të pandemisë.

/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




