Guvernatori rajonal ukrainas: Korridori i evakuimit nga Sumy do të mbetet i hapur të mërkurën

Një korridor evakuimi nga qyteti i Sumy, në verilindje të Ukrainës do të qëndrojë në funksion të mërkurën, tha guvernatori rajonal Dmytro Zhyvytskyy në një postim në mediat sociale.
“Miq! Ekipi negociator punoi gjithë natën dhe ata e zgjeruan operacionin e korridorit humanitar nga Sumy në Poltava sot”, tha Zhyvytskyy herët të mërkurën, duke shtuar se korridori do të jetë i hapur nga ora 9 e mëngjesit deri në 21:00 me orën lokale raporton CNN.
Njerëzit do të mund të udhëtojnë me automjetet e tyre personale, tha ai. Gjithashtu, 22 autobusë të përdorur gjatë evakuimit të së martës do të kthehen në qytet nga qyteti qendror i Poltava për të ndihmuar evakuimet nga rreth orës 14:00 sipas kohës lokale, tha ai.
“Janë të njëjtët autobusë që kishim dje për kolonën e parë të transportit. Ato do të përdoren për transportin e grave shtatzëna, grave me fëmijë, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”, shtoi ai.
Korridori u mundësoi rreth 5,000 civilëve të evakuonin qytetin të martën, sipas nënkryetarit të zyrës presidenciale ukrainase Kirill Timoshenko.
Sumy i është nënshtruar sulmeve të rënda nga forcat ruse në ditët e fundit, me shumicën e popullsisë së saj të shkëputur nga pjesa tjetër e Ukrainës. Një sulm ajror gjatë natës në qytet të hënën vrau të paktën 21 civilë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




