Hap historik për paqen në Turqi/Projektligji i ri synon fundin e konfliktit me PKK-në pas katër dekadash

Europë | 3 muaj më parë

Turqia po i afrohet një momenti të rëndësishëm në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, të njohur si PKK. Koalicioni qeverisës paraqiti në parlament një projektligj që synon hapjen e një etape të re drejt paqes.

Nisma parashikon mbrojtje nga ndjekja penale për shumë ish-militantë dhe pezullimin e dënimeve me burg për një pjesë të personave të dënuar për anëtarësim në këtë organizatë. Projektligji pritet të hidhet për miratim në parlament brenda kësaj jave.

Një ndër objektivat kryesorë është kthimi në Turqi i mijëra ish-anëtarëve të PKK-së që ndodhen në veri të Irakut. Procesi i çarmatimit do të verifikohet nga shërbimi turk i inteligjencës, MIT. Ndërkohë, një komitet i posaçëm me drejtues të lartë të shtetit do të mbikëqyrë dorëzimin e armëve dhe zbatimin e planit.

Autoritetet e cilësojnë këtë nismë si një hap vendimtar drejt mbylljes së konfliktit. Lufta mes shtetit turk dhe PKK-së ka zgjatur që prej vitit 1984. Gjatë këtyre dekadave janë vrarë mbi 40 mijë njerëz, ndërsa pasojat e përplasjes janë ndjerë edhe përtej kufijve të Turqisë, në Irak dhe Siri.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme