Hapen negociatat, nis shqyrtimi i legjislacionit BE-Shqipëri! Rama: Paqja në Ballkan kalon nga Europa

Shqipëria ka hapur sot (19 korrik) zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në Bruksel mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, një “gurë themeli” në rrugën e vendit drejt anëtarësimit të plotë në Union.
Kryeministri Edi Rama, gjatë deklaratës për shtyp me Presidenten e KE, Ursula von der Leyen Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrin e Çekisë e konsideroi ditën e sotme si historike, teksa falenderoi popullin shqiptar për të cilin tha se nuk u dorëzuan kurrë së ëndërruari rrugën europiane.
Teksa e cilësoi mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare “jo si fillimin e fundit, por fundin e fillimit”, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se me rëndësi është ndërtimi i një Shqipërie europiane dhe të fortë.
Një “moment historik” e ka konsideruar edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen Konferencën e parë Ndërqeveritare mes BE- Shqipëri- Maqedonia e Veriut, ndërsa vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për afrimin me BE-në.
Rruga e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt hapjes së negociatave u zhbllokua pas votimit në parlamentin maqedonas të propozimit francez që zgjidhi ngërçin me Bullgarinë.
Shqipëria firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit 16 vite më parë, në vitin 2006 ku nisi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, ndërsa më 24 qershor të vitit 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani ndodhet në Bruksel, duke informuar me zhvillimet më të fundit bashkë me gazetarët e rtsh.al.
Zhvillimet minutë pas minute
18.00-Hapja e negociatave, Kryemadhi: Fillimi i një kapitulli të ri, ata që janë në karriget e pushtetit s’e duan integrimin

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka përshëndetur hapjen e negociatave me BE duke e cilësua si një kapitull të ri për Shqipërinë. Ajo thekson se LSI do të punojë fort për të ecur para me legjislacionin që çon para integrimin, ndërsa akuzon qeverinë se nuk e dëshiron integrimin vendit dhe se dëshirojnë ta pengojnë këtë rrugë që ka nisur sot Shqipëria.
“Mirënjohje ndaj çdo vendi të Bashkimit Europian, për këtë ditë të sotme të çeljes zyrtare të negociatave, që i hap rrugën procesit më të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë me të drejta të plota në familjen europiane. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri, ndërsa detyrat për ta çuar përpara këtë rrugë, e ngarkojnë çdo aktor politik e shoqëror në vend, me përgjegjësi të reja për të realizuar transformimin rrënjësor e të gjithanshëm që Shqipëria europiane ka nevojë! Njerëzit në karrige nuk e duan dhe do të bëjnë çmos për ta dështuar këtë rrugë, në favor të autokracisë së pushtetit të tyre. Qeveria shqiptare institucionalisht, duhet të çlirohet nga praktikat e deri tanishme korruptive, klienteliste, në shkelje të ligjit dhe ndrydhje të të drejtave e lirive të qytetarëve. LSI si parti parlamentare dhe forcë vendimtare në vend, do të dedikojë energjitë për të çuar përpara nismat ligjore dhe angazhimet institucionale që e realizojnë sa më parë integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Tepër kohë është humbur me dështime për shkak të vendimeve personale të politikës së ditës. Duke vonuar integrimin në BE, kemi humbur qytetarët tanë që janë larguar në emigrim drejt jetës më të mirë në BE”, shkruan Kryemadhi.
16:55- Shqyrtimi i legjislacionit, Xhaçka: Na pret një proces sfidues! Mazi: Shqipëria e di mirë që këto diskutime do të zgjaten

Gjatë takimit mbi shqyrtimin analitik të legjislacionit Shqipëri-BE, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryenegociatori Zef Mazi theksuan se Shqipërinë e pret para një punë e gjatë dhe mjaft kërkuese, por që vendi ynë është gati për të nisur nga puna.
Ministrja Xhaçka tha se Shqipëria ka punuar me vite për anëtarësimin në BE dhe se afrimi sa më shumë me familjen europiane ka ndikuar në çdo aspekt të jetës në vend.
“E dimë se na pret një proces shumë kërkues dhe sfidues. Ne jemi gati. Vendosmëria jonë është e palëkundur. Jemi të vetëdijshëm se mbetet shumë për të bërë. Por hapja formale e negociatave rikthen besueshmërisë në procesin e integrimit në BE. Prezantimet e takimeve shpjeguese, kanë qenë udhërrëfyesi ynë. Anëtarësimi në BE ka qenë një nga objektivat më të rëndësishme të Shqipërisë që nga ndryshimi i regjimit 30 vite më parë. Ka qenë forca shtytëse e transformimit të vendit tonë. Ky proces modernizmi dhe evropianizimi s’ka lënë gur pa lëvizur ka ndikuar në çdo spektër të jetës në Shqipëri. Sa i përket përmbajtjes së procesit të shqyrtimit. Edhe pse e dimë se na pret një proces sfidues, jemi gatim, vendosmëria ynë është e palëkundur. Kemi zbatuar një reformë të paprecedente në drejtësi që ka luajtur rol kyç në luftën kundër korrupsionit, jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë”, tha Xhaçka.
Edhe kryenegociatori Zef Mazi tha se në 30 vite Shqipëria ka përparuar drejt rrugës europiane, por që ende mbetet shumë për të bërë dhe se qeveria shqiptare është e përgatitur që këto negociata do të zgjasin dhe nuk do të jenë të lehta.
“Në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka treguar një rritje drejt procesit të integrimit. Rruga e Shqipërisë është parë në dritën e përqasjes drejt BE, kjo ka qenë aspirata më e madh që nga Lufta e Dytë Botërore dhe na ka shërbyer si shtylla kurrizore e strategjisë së vendit. Shqipëria mori pjesë në këtë takim që prej vitit 2018-2019. Qeveria shqiptare e di mirë që këto bisedime do të zgjaten paksa. Kjo do të mbështetet në mënyrën më të mirë të koordinimit që të dorëzojmë një punë të mirë të bisedimeve në atë që nis pas shtatorit. Ajo çka na pret është kërkuese. Skuadra jonë është e përbërë me 30 negociatorë. Do të shihen të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nivelet sociale të vendit. Këto janë thelbësore sa i përket kontributit që i duhen dhënë shoqërisë. Shumë prej ligjeve europiane do jenë në nivel lokal. Ky proces do të jetë i gjatë, i komplikuar, i zgjatur, i vështirë dhe rruga para nesh do të jetë e tatëpjetë, ndaj do të jetë diçka kërkuese për ne që të punojmë fort”, tha Mazi.
16.50-Shqyrtimi i legjislacionit BE-Shqipëri, Varhelyi: Të ecet me ritme të shpejta, do prekim çështje të përditshme

Pas çeljes së negociatave është zhvilluar dhe mbledhja mes delegacioneve të BE dhe Shqipërisë për procesin e shqyrtimit të legjislacionit (Screening) mes Shqipërisë dhe BE për çdo kapitull në mënyrë që të përshtate me atë të Unionit Europian. Në takim ishin të pranishëm ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe kryenegociatori Zef Maz, ndërsa fjala hapëse u mbajt nga komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Teksa i uroi Shqipërisë një rrugë të mbarë deri në anëtarësimin e plotë, Varhelyi kërkoi që të ecet me ritme të shpejta në përparimin me reformat dhe përshtatjen e legjislacionit me të BE që do të prek shumë fusha, që nga tregtia e transporti deri tek cilësia e jetës, ajrit dhe siguria ushqimore.
“Kemi pritur për kohë të gjatë. Kemi një mjet të rëndësishëm për metodologjinë e rishikimit që mund ta nxisë këtë projekt me shpejtësi për ta bërë më të besueshëm, më dinamik. Ky proces shqyrtimi që fillojmë sot është hapi i parë dhe ne duam të ecim në mënyrë graduale. Ky sistem është një nga elementet kryesorë, siç është grupimi i kapitujve. Vitet e kaluara kemi dhënë këshillim mbi financat dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit të BE, kemi raportuar mbi reformat. Procesi që fillojmë sot është për të gjithë punën e mirë që kemi bërë së bashku dhe dua t’ju falënderoj për atë që keni bërë për rrugën tuaj drejt BE. Le të fillojmë duke thënë se ky proces është mundësi e mirë për ju që të bëjë një vetëvlerësim të politikave dhe legjislacionit për të parë sa afër jeni me standardet e BE në çdo fushë. Dialogun bilateral që do të jetë thelbi i diskutimeve tona dhe do na sjellë afër drejt qëllimit të përbashkët të anëtarësimit tuaj. Do prekim çështje të ditës, cilësinë e ajrit, ushqimit, ujit, kapacitetin e sektorit shëndetësor, mbrojtjen e të dhënave personale. Procesi i anëtarësimit është transformues dhe një kuptim i përbashkët. E gjitha kjo do të vijojë në rrugë e sipër. Do të kemi investime në tregti siç është transporti që do të ketë mundësi të reja për bizneset. Procesi i anëtarësimit do të shihet dhe si program reforme. Më lejoni t’ju uroj punë të mbarë e të shpejtë”, tha Varhelyi.
Po çfarë është Screening? Ky proces bën një ekzaminim të detajuar nga KE së bashku me vendin kandidat për secilin kapitull për të përcaktuar sa është përgatitur vendi në këtë fushë. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet vendeve anëtare në formën e një raporti analizues me rekomandime që duhet të arrihen nga Shqipëria.
16.33: Hapja e negociatave, Kim: Hap historik, SHBA do ju mbështesë për hapat e tjerë përpara

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka përshëndetur SHqi1qprinë për hapjen e negociate me BE. Duke e cilësuar këtë si një hap historik për Shqipërinë, ambasadorja Kim shprehet se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë me hapat e tjerë të nevojshëm për anëtarësimin e plotë në BE.
“Urime Shqipërisë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare të sotme, hap historik, i shumëpritur drejt anëtarësimit të plotë në familjen e Bashkimit Europian. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm përpjekjet tuaja për reformën në drejtësi dhe hapat e tjerë të nevojshëm për anëtarësim. Përpara”, shkruan Kim.
Ora 15:50- Joe Biden përshëndet hapat drejt integrimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për integrimin në Bashkimin Evropian, është përshëndetur edhe nga Presidenti amerikan, Joe Biden. Nëpërmjet një deklarate, të bërë publike nga ambasada amerikane në Shqipëri, presidenti Biden nënvizon se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik, duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut“.
“Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon, për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”, thuhet në deklaratën e Presidentit amerikan Biden.
Ora 15:00- Hapja e negociatave, kryeministri Kurti uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Zoti Kurti, në mesazhin e tij në Twitter, nënvizon se Kosova i feston këto arritje të fqinjëve.
“Urime për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Kosova feston arritjet e juaja historike dhe I’u bashkohet në zotimet drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin tonë në Evropë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ora 14:50-Hapja e negociatave me BE-në, Berisha: Një arritje e madhe për shqiptarët

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka reaguar pas hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Me një postim në Facebook, Berisha shkruan se kjo është një arritje e madhe për shqiptarët, teksa ia atribuon arritjeve të Partisë Demokratike kur ishte në pushtet, duke përmendur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhënin e statusit kandidat për Shqipërinë apo heqjen e vizave.
“Të dashur miq, sot në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Duke përshëndetur këtë akt dhe falënderuar me mirënjohje të thellë Bashkimin Europian për vendimin fisnik ndaj Shqipërisë, që vjen pas firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE në vitin 2006; pas pranimit nga BE-ja të kërkesës së Shqipërisë për vend anëtar në vitin 2009; pas akordimit heqjes së vizave për Shqipërinë në vitin 2010 dhe pas dhënies së statusit të vendit kandidat nga Komisioni Europian në vitin 2012, të cilin e bllokoi Edi Rama me këshilltarët e Fierit, kjo është një arritje madhore e bazuar në arritjet e përmendura më sipër”, shkruan Berisha.
Duke mos komentuar mungesën e një përfaqësie nga opozita në Bruksel, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama si të korruptuar, duke shtuar se progresi i Shqipërisë në rrugën e negociatave me BE-në është mision i pamundur me të në krye.
“Më këtë rast, Partia Demokratike, duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Europian, thekson se Edi Rama, njeriu që përfaqëson sot Shqipërinë në Bruksel, me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin dhe korrupsionin, qëndrimin autokratik ndaj mediave dhe kontrollin e gjyqësorit është shkaku kryesor:
1- i refuzimit të hapjes së negociatave 5 herë në këto vite.
2- i mosplotësimit të kushteve, siç deklaron rezoluta e fundit e Parlamentit Europian dhe deklarata e sotme e përfaqësuesve të CDU-së në Bundestagun gjerman. PD thekson se sot negociatat u hapën në Bruksel pasi Edi Rama ka vendosur në Shqipëri, duke dhunuar votën e shqiptarëve, monizimin e plotë, pushtetin një partiak të njëjtë me janarin e vitit 1990. Ne këtë kontekst, PD beson se progresi i Shqipërisë në rrugën e negociatave me BE-në është mision i pamundur. Por Partia Demokratike siguron shqiptarët se, Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do të shpëtojë shpejt vendin nga regjimi i Ramës, dhe me reforma të thella dhe të gjithanshme, rruga e integrimit të vendit në BE do të njohë normalitetin dhe shpejtësinë që meriton!”, thotë Berisha.
Ora 14:30- Bisedimet për anëtarësimin në BE, hapat e ardhshëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Pasi Shkupi zgjidhi një mosmarrëveshje të gjatë me fqinjin e tij, Bullgarinë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit që përfundimisht mund të çojnë në anëtarësimin në BE. EURACTIV shikon hapat e ardhshëm që të dyja vendet duhet të ndërmarrin në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
“Ne kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm drejt afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”, tha kryeministri çek, Petr Fiala, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës të BE-së, pasi u miratua drita jeshile në një takim të ambasadorëve të BE-së në Bruksel.
Historia e vetos
Maqedonisë së Veriut i’u dha statusi i kandidatit në vitin 2005, por për shumë vite nuk ishte në gjendje të fillonte negociatat e anëtarësimit për shkak të kundërshtimit të Greqisë, derisa ajo ndryshoi emrin e saj, hoqi “Diellin e Vergina” nga flamuri i saj dhe hoqi dorë nga “helenizimi” i historisë së saj nën Marrëveshja e Prespës e vitit 2018.
Pas Prespës, Franca bllokoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën derisa të miratohej një metodologji e re për zgjerimin e ardhshëm në nivel BE.
Pengesa tjetër ishte vetoja bullgare nga viti 2020, pasi Sofja kishte bllokuar çdo përparim për shkak të një mosmarrëveshjeje midis vendeve mbi çështjet historike dhe nevojës për të kapërcyer armiqësinë që daton që nga periudha e Titos. Kjo u tejkalua pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një propozim francez që do ta bënte maqedonishten gjuhë zyrtare në BE, do të ndryshonte kushtetutën e vendit për të njohur bullgarët në mesin e popujve ndërtues të kombeve, për të mbrojtur të drejtat e pakicave, për të ndryshuar tekstet shkollore me referenca negative për Bullgarinë, si dhe futja e gjuhës së urrejtjes në kodin penal.
Bullgaria megjithatë vazhdon ta konsiderojë gjuhën maqedonase si një dialekt të bullgarishtes dhe të hënën në një takim të ambasadorëve të BE-së dorëzoi një memorandum që kujton qëndrimin e saj.
Mosmarrëveshja midis Sofjes dhe Shkupit ngeci ofertën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare, pasi BE-ja i kishte grupuar të dy vendet së bashku në ofertën e tyre për anëtarësim. Shqipëria mori statusin e kandidatit në vitin 2014, nëntë vjet pas Shkupit. Shqipëria pritet të nisë menjëherë negociatat e anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut do të duhet së pari të ndryshojë kushtetutën duke përfshirë bullgarët në mesin e kombeve të tjera shtetformuese të listuara në të. Siç tha ministrja e jashtme bullgare në largim, Teodora Genchovska, kjo mund të zgjasë “tre muaj, ose ndoshta dy vjet”.
Si bëhen anëtarë kandidatët?
Para fillimit të negociatave të anëtarësimit, vendi kandidat dhe Komisioni Evropian vendosin të ashtuquajturën “strategji e para-anëtarësimit”, e cila çon në hartimin e një kuadri negociues nga të dyja palët. Negociatat nuk mund të fillojnë derisa mandati të miratohet unanimisht nga vendet anëtare të BE-së. Në këtë proces, Komisioni Evropian duhet të jetë i kënaqur që vendi kandidat të plotësojë tre kushte, të ashtuquajturat kritere të Kopenhagës.
Për të filluar negociatat, vendi kandidat megjithatë duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, ndërsa të tjerat mund të përmbushen gjatë fazës së negociatave. Më pas zhvillohen negociatat ndërmjet ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet Konferenca Ndërqeveritare (IGC). Faza e parë përfshin një proces rigoroz shqyrtimi të legjislacionit të vendit kandidat për të parë se sa mirë është ai në përputhje me ligjin e BE-së ose me acquis communautaire. Acquis është i ndarë në 35 kapituj negociues, të grupuar në gjashtë grupe, që mbulojnë çdo aspekt legjislativ, të cilat të gjitha individualisht mund të mbyllen vetëm me bekimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Negociatat fillojnë me hapjen e kapitujve për të ashtuquajturat “themelore”, çështje si gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe ky kapitull është gjithashtu i fundit që është nënshkruar.
Negociatat e disa kapitujve mund të zhvillohen njëkohësisht. Pasi të jenë mbyllur të gjithë kapitujt, Komisioni rekomandon vendet kandidate për anëtarësim dhe vendi nënshkruan Traktatin e Aderimit që specifikon një datë për anëtarësim, duke e bërë atë një “vend aderues”. Traktati duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian, i cili duhet ta miratojë tekstin me shumicë absolute.
Sa kohë zgjat anëtarësimi?
Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformës dhe përafrimi me ligjet e BE-së në çdo vend dhe kohëzgjatja e tyre mund të ndryshojë. Komisioni Evropian përshkruan progresin e vendeve kandidate në raportet vjetore. Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ekzekutivi i BE-së tha në vlerësimin e vitit të kaluar të dy vendet ishin ‘mesatarisht të përgatitura’ në shumicën e gjashtë grupeve dhe kanë parë njëfarë progresi. Realisht, mbyllja e kapitujve mund të zgjasë disa vite, siç ka ndodhur me Serbinë apo Malin e Zi.
Çdo vend i BE-së mund të kundërshtojë mbylljen ose hapjen e kapitujve dhe Bullgaria i ka rezervuar vetes të drejtën për ta bërë këtë nëse protokolli dypalësh nuk zbatohet nga Maqedonia e Veriut. Më të shpejtë për të negociuar pranimin ishin Austria, Finlanda dhe Suedia, në pak më pak se dy vjet, ndërsa Kroacisë iu deshën pak më pak se tetë vjet nga fillimi i negociatave për t’u bërë anëtare e plotë e bllokut.
Cilat mund të jenë pengesat?
Çështjet dypalëshe ose trazirat e brendshme: Pavarësisht se fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve, propozimi francez kishte shkaktuar protesta të gjera në Maqedoninë e Veriut, me kundërshtarët që argumentonin se ndryshimi i kushtetutës mund të jetë një hap shumë larg. Kritikët e propozimit francez në Shkup thonë se ai hap derën për mohimin e identitetit kombëtar të maqedonasve. Partia e fuqishme opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut kundërshton fuqishëm kompromisin francez.
Shkalla e përthithjes: Kriteret e Kopenhagës përfshijnë gjithashtu një konsideratë të katërt, domethënë që BE-ja duhet të ketë kapacitetin për të absorbuar një shtet të ri anëtar. Gjatë viteve të fundit, ka pasur një shkallë të caktuar hezitimi për zgjerim brenda BE-së. Por rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor për BE-në është rritur që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, me frikën për ndikimin e Moskës në rajon.
Çekia, e cila tani mban Presidencën e rradhës gjashtëmujore të Këshillit të BE-së, do të duhet të balancojë midis vendeve që shtyjnë për pranimin e shpejtë të Ukrainës në BE dhe vendeve që kanë pritur për shumë vite, si ato në Ballkanin Perëndimor, nga ana tjetër. Në tetor 2022, Presidenca Çeke do të organizojë një samit jozyrtar në Pragë. Në aktivitet do të marrin pjesë shtetet anëtare dhe vende të tjera evropiane, “nga Islanda në Ukrainë”.
Megjithatë, disa shtete anëtare mbrojnë në mënyrë efektive reformën e BE-së përpara çdo zgjerimi të mëtejshëm të bllokut. Franca së fundmi ka paraqitur “plumbin e saj të argjendtë” për të stabilizuar fqinjësinë e BE-së dhe nuk është domosdoshmërisht zgjerim në radhë të parë.
Ora 14:27-Hapja e negociatave, KE: Moment historik! Do vazhdojmë t’ju mbështesim

“Moment Historik”, kështu e konsideron Komisioni Erupian (KE) hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të KE në Facebook vlerësohet puna e bërë nga të dy vendet dhe reformat e ndërmarra në rrugën drejt Bashkimit Europian.
KE thekson edhe njëherë se do të vijojë të mbështesë në vazhdim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Çfarë momenti historik. Sot, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapin negociatat e anëtarësimit me BE. Ky është suksesi juaj, rezultat i punës suaj të palodhur. Ju dhe qytetarët tuaj keni treguar kaq shumë përkushtim të qëndrueshëm ndaj vlerave tona. Ju keni bërë reforma të panumërta jo vetëm sepse ishin të nevojshme në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha sepse janë të mira për vendet tuaja. Dhe ata tashmë po ofrojnë një cilësi më të mirë jete për njerëzit tuaj. Ne ju kemi mbështetur gjatë gjithë rrugës dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Populli i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e meriton”, shkruhet në postim.
Ora 13:31-Pse munguan përfaqësues të opozitës në Bruksel? Rama: Nuk dimë kush është kush

Kryeministri Edi Rama, i pyetur se përse nuk kishte një përfaqësi të opozitës në Bruksel, në tryezën e përbashkët për hapjen e negociatave, u shpreh se mund të kishin ftuar më shumë se një, por theksoi se problemi qëndron te përçarja brenda kësaj partie.
“Mund të kishim ftuar më shumë se një përfaqësues, por kemi një problem që nuk zgjidhjet në Bruksel se nuk dimë kush është kush në anën e opozitës”, tha Rama.
Ora 13:29– Varhelyi: Fazë e re transformuese! Rama: BE kërkesë të kahershme për ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar

“Një fazë e re transformuese”, kështu e konsideroi Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi rrugëtimin e Shqipërisë pas hapjes ë negociatave. Në Konferencën për shtyp, Varhelyi u shpreh se negociatat do ketë ndikim pozitiv te ekonomia, shoqëria duke i bërë thirrje të gjitha palëve në vend që të bëhen pjesë e këtij procesi.
“Ky vendim historik dërgon një sinjal të fortë drejt BP dhe më tej, konfirmon rëndësinë e politikës së zgjerimit të BE. 8 vite pas statusit të vendit kandidat, sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të ri. Mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i thjeshtë: ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane. Nga sot e tutje do injektojmë në negociata me Shqipërinë më shumë besueshmëri dhe shtytje politike të qartë. Në këtë rrugëtim Shqipëria mund të mbështete te Komisioni. Do të vijojmë të bëjmë çështë e mundur për të përshpejtuar hapat në këtë proces, sot pasdite do të nisim me kuadrin ligjor europian që është hapi i parë. Do të lejojë njehësimin e tërë çështjeve madhore që duhet ët adresohen. Jam besimplotë se Shqipëria është e vendosur t’i bashkohet BE dhe që të punojë fort për këtë. Në këtë udhëtim na duhen të tërë që janë në Shqipëri për t’i bërë këto negociata. Negociatat kanë një natyrë transformuese dhe do të prekin përditshmërinë e qytetarit shqiptar. Do ketë ndikim pozitiv te ekonomia, shoqëria dh ena duhet që gjithsecili të bëhet pjesë e këtij procesi. Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE sapo ka nisur dhe jemi gati të punojmë për ta bërë këtë të mundur sa më shpejt”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani nëse do të jetë kërkesë e BE ndëshkimi i gjykatësve të korruptuar, u shpreh se kjo ka qenë kërkesë e kahershme e tyre.
“Kërkesa për të hapur procese dhe për të ndëshkuar gjykatës e prokurorë që janë përjashtuar nga vetingu për pasuri të pajustifikuara është kërkesë e kahershme e BE dhe është e natyrshme që në këtë rast është në sinkron me kërkesën e natyrshme të popullit shqiptar që e mbështeti reformën në drejtësi. Besoj se tani e kam mësuar si funksionon BE, KE dhe sesi çdo gjë e shkruar është pjesë e memories së Komisionit dhe çfarë thuhet sot nuk harrohet nesër, po përsëritet deri sa të bëhet. Negociatat për anëtarësim janë në vetvete një instrument transformimi i përditshëm. Çdo hap në negociata përbën një vlerë të shtuar dhe një mundësi të re për të çuar përpara të gjithë aspektet e jetës së vendit”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, Varhelyi u përgjigj se sipas metodologjisë së re do të fillojë puna pikërisht me fushën e shtetit ligjor, duke theksuar se nuk kanë për t’u zmbrapsur nga kërkesat e tyre.
“Po sipas metodologjisë së re, do fillojmë të punojmë me fushën e shtetit ligjor dhe gjendja e gjyqësorit do diskutohet, por ne nuk kemi për t’u prapsur në kërkesat tona dhe duhet të ketë prova që ka raste që duhen zgjidhur dhe këto duhen zgjidhur”, theksoi Varhelyi.
Ora 13:05- Meta: Sot një ditë e shkëlqyer, institucionet të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave që kërkohen
Presidenti Ilir Meta, ka vlerësuar Konferencën e parë Ndërqeveritare, për të nisur zyrtarisht procesin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, dita e sotme është një ditë e shkëlqyer, një gur themeli për shqiptarët.
“Kjo tregon se rajoni ynë vazhdon të gëzojë mbështetjen evropiane. Ky është sinjal i qartë i mbështetjes. E sotmja është një ditë vendimtare për të ardhmen, një ditë kur duhet të ballafaqohemi me realitetin, ashtu siç është. E vërteta është se kemi humbur shumë kohë. Kjo na zbulon të gjitha të metat, punët e bëra keq. Shqetësimet e Holandës, vërejtjet e Francës, apo të gjitha shqetësimet e shprehura në rezolutën e fundit të PE, tregojnë se transformimi kërkon punë. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e fushatave që duan të minojnë rrugën tonë drejt BE-së. Rruga evropiane është e vetmja që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë begati, që qytetarët tanë e kërkojnë në Itali, Britani, Gjermani, etj. I’u bëj thirrje institucioneve të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave që kërkohen. Është në dorën tonë që ky proces të zgjasë 5, 30 apo më shumë vite”, deklaroi zoti Meta.
Ora 12:50- Alibeaj: Sot një ditë e mirë për Shqipërinë, por një barrë e madhe prove për qeverinë

Kreu i Grupit Parlamentar në PD, Enkelejd Alibeaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE. Sipas tij, sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, një hap përpara për shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës së tyre, por është në të njëjtën kohë edhe një barrë e madhe prove për qeverinë, që tashmë duhet të japë provime të vështira.
Kreu i grupit të PD-së vlerëson se tam-tamet për të katërtën herë të qeverisë, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, janë shenjë e qartë se këto 9 vite, hapat pas janë më të shumtë në numër se ato drejt integrimit.
“Shqiptarët janë një komb i orientuar qartas drejt vlerave europiane, dëshira dhe vullneti i tyre për të qenë pjesë e saj, kanë qenë dominuese këto 30 vitet e fundit. E megjithatë politika në përgjithësi dhe qeveria Rama në 9 vite është treguar e paaftë, nënçmuese dhe hera herës refraktare për ta integruar Shqipërinë dhe shqiptarët në familjen europiane. Notat “sovraniste”, përdorimi i euroskepticizmit apo justifikime të tjera kanë qenë boja që ka lyer rrënojat e një shteti të keqndërtuar dhe që nuk arrin dot të plotësojë standartet e kërkuara. Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, një hap përpara për shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës së tyre. Por është në të njëjtën kohë dhe një barrë e madhe prove për qeverinë që tashmë duhet të japë provime të vështira. Nga ato që nuk i kalon dot me propagandën banale të së përditshmes kryeministrore. Sikundër është dhe një provë për të gjjthë klasën politike dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar standarte dhe për të përballuar sfida të standarteve europiane. Nga ato që nuk janë peng i shkollës së vjetër bolshevike të pengjeve të politikës shqiptare të tranzicionit!”, nënvizon Alibeaj.
Ora 12:35–Rama: BE, fati ynë! Paqja në Ballkan kalon nga Europa

Shqipëria ka nisur sot zyrtarisht procesin e negociatave me BE për anëtarësimin, ndërsa në Konferencën e parë Ndërqeveritare, Kryeministri Edi Rama u ndal në rrugëtimin e vendit drejt Unionit e po ashtu edhe me sfidat me të cilat jemi përballur.
Duke e konsideruar Bashkimion Europian si “fatin tonë”, Rama tha se pavarësisht zhgënjimeve dhe refuzimeve të pamerituara në 3 vitet e fundit, sërish Shqipëria nuk e humbi besimin.
“Është e vështirë të besohet se kjo po ndodh. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare, por nuk na ka shkruar kurrë në mendje të hiqnim dorë. Nuk ka rrugë tjetër veç BE. Është ëndrra jonë, fati ynë, misioni ynë. Për shekuj na është dashur të jetojmë nën perandori që nuk i kemi zgjedhur, këtë herë është ndryshe, Europa është e para herë për ne një zgjedhje e lirë. Europa me vlera dhe standardet e saj është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i Hapur i katër lirive të BE po ashtu. Fillimi i besimeve të anëtarësimit e bën realitetin një vend më të mirë për ndjekur ëndrrën. Rruga jonë për të qenë këtu s’ka qenë e lehtë. Ne vazhduam të ecnim duke mos e humbur besimin edhe kur u përballëm me dhimbjen e fundit të shuplakës së padrejtë në fytyrë. Atë që unë besoj se është e vërtetë më duhet ta ruaj, atë që më duket ka qe qartë edhe kundër meje më duhet ta mbështes. Vitet e fundit kemi patur një sërë krizash, pro ne dëshmuam se ishim më të fortë. BE ka qenë gjithmonë e më tepër për Shqiptarët më shumë se raporte e standarde. Integrimi i plotë në Europë është për Shqipërinë dhe kombin shqiptar një çështje për jetë a vdekje”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te reformat e ndërmarra në vend, duke përmendur reformën në drejtësi, për të cilën u shpreh se ka shembur “pallatin e vjetër” të një drejtësie të korruptuar dhe ka ndërtuar institucione të reja. Po ashtu kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe te lufta kundër krimit të organizuar dhe përparimin e kryer në procesin e dixhitalizimit.
“Edhe pse u shtynë padrejtësisht për 3 vite me radhë ne i vazhduam reformat tona edhe me më shumë bindje. Reforma në drejtësi, normalisht ka ende shumë për të bërë, por kemi një sistem, drejtësie që pas kaq vitesh mund t’i besohet. Kemi bërë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar, shkatërruam të gjithë pallatin vjetër të drejtësisë së korruptuar dhe kemi institucione të reja krejtësisht funksionale. Askush nuk është imun para drejtësisë, as pozita, as teserat e partisë dhe as paratë nuk mund t’ju mbrojnë më. Unë nuk kam mbrojtur askënd nga shigjeta e drejtësisë. Gjatë 3 viteve të fundit që kanë qenë të vështira, roli i Shqipërisë në skenën ndërkombëtare u bë më i rëndësishëm. Ne do vazhdojmë të luajmë rol kyç në konfigurimin e ri gjeopolitik europian. Shqipëria ka përafrim 100% me deklarata e BE për politikën e jashtme. Marrim pjesë në nisma rajonale dhe iniciuam me 2 partnerë të tjerë nismë e parë ballkanike të quajtur “Open Ballkan”. Do të jenë 4 nga 6 shtete në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht zhgënjimeve tona, BE nuk është një projekt që do përfundojë një ditë, ajo ka dhënë tashmë shumë dimensione dhe shpreh edhe njëherë mirënjohjen time nga zemra. Ne do të vazhdojmë të investojmë në ndërlidhjen kombëtare dhe rajonale duke përdorur siç duhet mjete ekonomike të BE. Teknologjia ere po na shërben mirë në ofrimin e shërbimeve të shpejta. Jemi duke u përballur me një sulm kibernetik, por sistemet tona po rezistojnë dhe po e zmbrapsim armikun. Shokë të BE, për të mirën e anëtarëve aspirantë e ekzistues, duhet ta kuptojmë se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po as sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE. Kjo është epokë e re sfidash të reja që ka nevojë për një BE të ripërtërirë”, u shpreh Rama.
Ora 12:15- Borrell: Bashkimi Evropian bëhet më i plotë me Shqipërinë

Bashkimi Evropian bëhet më i plotë me Shqipërinë. Ky ka qenë mesazhi i përcjellë nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, në nisje të Konferencës së parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.
Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, duke filluar procesin e negociatave, Shqipëria do të bëhet anëtarë e BE-së dhe me këtë, Shqipëria, Bashkimi Evropian, ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt plotësimit të saj.
“Është bërë një punë e rëndësishme në vitet e mëparshme, duke sjellë përfitime për shoqërinë shqiptare. Harmonizimi juaj me politikat e BE-së dhe vendimmarrja juaj, reflekton drejtimin e duhur strategjik që keni zgjedhur. Kjo vjen edhe me një çmim të lartë. Pjesë e këtij çmimi është edhe ajo listë e “vendeve të padëshirueshme të Rusisë”, por jeni pjesë e vendit më miqësor siç është Bashkimi Evropian. Shqipëria do të ketë mbështetje nga BE për tu përballuar me ndikimet armiqësore nga vendet e treta, si agresioni rus. E dimë sa e vështirë ka qenë për ju të përballeni me pasojat e luftës, sa i përket çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Ju u përballët pak ditë më parë me një sulm kibernetik. Kjo ka ndodhur në shumë vende aleate. Shqipëria ka qenë një zë moderues në një rajon të kompleksuar. Keni ndihmuar në dialogun Beograd- Prishtinë”, theksoi në fjalën e tij zoti Borrell.
Ora 12:00- Rama: Shqipëria është shumë më përpara se disa vende të Ballkanit në fushën e drejtësisë dhe rendit ligjor
Shqipëria nuk ka humbur kohë për të vijuar nga puna për përmbushjen e kërkesave dhe standardeve për integrim në BE, por ka vijuar njësoj sikur këto negociata të ishin hapur.
Kjo u theksua gjatë një komunikimi me mediat të kryeministrit Edi Rama në Bruksel, i cili nënvizoi se Shqipëria është madje shumë më përpara sa i përket drejtësisë dhe rendit ligjor, që janë dhe pikat kyçe për në BE, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Vijon kjo ditë e kaqshumëpritur, me mbledhjen për dorëzimin e kornizës negociatore dhe me fillimin drejtëpërdrejtë të punës me negociatat formale. Ajo që ka shumë rëndësi të thuhet sot është se ne nuk kemi humbur kohë. Nuk kemi pritur që të fillojnë formalisht negociatat për të shkuar më tutje, sepse kemi punuar sikur negociatat të ishin hapur. Kjo është edhe arsyeja që sot Shqipëria jo vetëm hyn në katërshen e vendeve të Ballkanit Perëndimor që negociojnë për anëtarësim, por në aspektin më të rëndësishëm të këtij procesi, që është rendi ligjor dhe drejtësia, jemi në pararojë të të gjithëve”, theksoi kryeministri Rama.
Ora 10:45- Xhaçka: Ditë historike! Rruga përpara më e vështirë dhe kërkuese

“Ditë historike për Shqipërinë”, kështu e ka konsideruar Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian të Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, teksa shkruan se rruga përpara është edhe më e vështirë dhe kërkuese, Xhaçka thotë se megjithatë sot shqiptarët mund të gëzohet për arritjen e këtij momenti të rëndësishëm në procesin e integrimit në BE.
“Ditë historike për Shqipërinë. Ka qenë një pritje e gjatë, por dita e sotme legjitimon gjithë punën dhe angazhimit tonë të palodhur. Rruga përpara është më e vështirë dhe kërkuese, por sot shqiptarët mund të gëzohen për arritjen e këtij momenti të rëndësishëm në procesin e tyre të integrimit në BE”, shkruan Xhaçka.
Ora 10:25- OSBE: Një kapitull i ri i shumëpritur nga shqiptarët

Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE, është komentuar edhe nga zyra e OSBE-së në Shqipëri. Në një postim, zyra e OSBE-së e ka cilësuar ditën e sotme si një kapitull të ri të Shqipërisë, i shumëpritur dhe i merituar.
“Një kapitull i ri i shumëpritur nga shqiptarët dhe i merituar hapet sot. Prezenca do të mbetet një partner i vendosur i vendit në arritjen e objektivave të reformës prioritare.”- shkruhet në postim.
Ora10:21– Varhelyi: Prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi ka përshëndetur çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me një postim në Twitter, Varhelyi shkruan se prioritet i tyre mbetet Ballkani Perëndimor, duke theksuar përkushtimin për të sjellë të gjithë rajonin në BE.
“Ne po hapim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në ndryshimin e mjedisit gjeopolitik, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor. Ne jemi të përkushtuar më shumë se kurrë për të sjellë të gjithë rajonin në BE. Sot ne po bëjmë një hap të madh drejt këtij angazhimi”, shkruan Varhelyi.
Ora 10:00- PD, Tabaku: Konferenca Shqipëri- BE moment kulmor historik, por nuk ka kohë për festë

PD e komenton nisjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE, si “një moment kulmor në historinë e Shqipërisë”, por nënvizon se “nuk ka kohë për festë”. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, me këtë rast, ka shigjetuar edhe shumicën qeverisëse, e cila, sipas saj, bëri çmos që opozita të mos ishte e përfaqësuar në këtë konferencë, por ajo nënvizon se në këtë proces “opozita ka meritat e saj”.
“Konferenca e parë ndërqeveritare, që do të thotë nisja e negociatave për anëtarësim në BE, është një prej momenteve kulmore të historisë së Shqipërisë. Një proces që vjen 16 vite pas nënshkrimit të MSA nga qeveria shqiptare dhe po mos të ishin kapriciot e një opozite që fatin e integrimit e lidhi me atë të qarkut të Fierit do të kishte një tjetër drejtim dhe me gjasë një tjetër shpejtësi. Por, siç thotë fjala e vjetër edhe e urtë shqiptare “më mirë vonë se sa kurrë!” Përtej të gjithave, kjo ditë shënjon vullnetin e mirë dhe dëshirën edhe të vetë BE që ndryshe nga paragjykimet me vetëdije të qeverisë ia arriti çeljes së negociatave. Tanimë pakkush do të gjejë alibinë e preferuar tek BE-ja gjithnjë e më pak do rrëmohet në anale debatesh politike për të gjetur fajtorët andej!”, komenton Tabaku.
Sipas saj, megjithëse BE ka provuar sa ka qenë pranë nesh sa herë që ne kemi kërkuar ndihmë madje edhe duke e ditur se si qeveria jonë i manaxhon ndihmat, si fjala vjen për tërmetin apo pandeminë, pa folur për projektet infrastrukturore që jo rrallë janë nënvlerësuar nga një qeveri që shpërdoron shumë dhe jep llogari pak.
“Fatkeqësisht në këtë ditë të shënuar, me gjasë edhe për të hequr “syrin e keq”, qeveria dhe mazhoranca janë përkujdesur në maksimum që të mos ftojnë në atë tavolinë opozitën e cila ka meritat e padiskutueshme në procesin e integrimit. Jo vetëm si forca e parë politike që ndërmori hapa konkretë për anëtarësimin e vendit në NATO që në fillim të viteve 1990. Por, mbi të gjitha, si një forcë politike që në 8 vite qeverisje ka mundur të hedhë hapa të rëndësishëm përpara në këtë proces. Mungesa e opozitës është simfonia e vjetër e një orkestre që nuk lodhet së përsërituri partiturën e një politike të dalë mode. Dirigjenti i së cilës mendon se mund të eklipsojë opozitën duke dashur të jetë në qendër të vëmendjes. Gjynah!”, thekson Tabaku.
Deputetja e PD shkruan më tej se si kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit do të fokusoj punën dhe rolin e këshillit në mbikeqyrjen e këtij procesi, në kontrollin e monitorimin e strukturave, pasi do të ishte e udhës që parlamenti shqiptar të merrte gjithnjë e më shumë funksione dhe pushtet në dorë në lidhje me këtë proces që nuk është pronë e asnjë force politike përpos e forcës së shqiptarëve për me qenë pjesë e BE-së.
“Ky interes kombëtar duhet të jetë edhe prioriteti i qeverisë dhe mbi të gjitha politikës sonë pa dallime partiake. Tentativat për të instrumentalizuar këtë proces apo gjoja arritje kanë prodhuar skena të padëgjuara ku janë nderuar me medalje për arritje të paqena diplomatë ndërkohë që procesi kishte ndaluar. Koha të reflektojmë dhe të prodhojmë një politikë që i shërben procesit të integrimit. Pa përsëritur butaforitë e mëhershme që kanë dashur të privatizojnë me propagandë arritjet e paqena. E duke i dhënë mundësi reale Shqipërisë të vijojë procesin e integrimit së pari e mbi të gjitha në favor të shqiptarëve. Nuk njoh forcë tjetër transformuese si ky proces, e nuk njoh mënyrë tjetër për ta ndryshuar Shqipërinë edhe për ta afruar me partnerët tanë strategjikë! Festa ka përfunduar. Tani duhet të nisim punën reale!’- shkruan Tabaku.
Ora 09:53-Soreca: Moment historik për Shqipërinë dhe BE-në

Ish-ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, ka uruar vendin tonë për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.
“Sot është një moment historik për Shqipërinë dhe për BE-në ! Më në fund ka ardhur koha për Shqipërinë të ecur përpara në rrugën e saj drejt bërjes Shtet Anëtar. Shumë të lumtur për të gjithë shqiptarët dhe miqtë që e shohin BE si destinacionin e tyre natyror. E ardhmja është bashkë!”, shkruan Soreca në Twitter.
Ora 09:20- Kryeministri maqedonas, Kovaçevski: Për Maqedoninë e Veriut, 17 vite pritje morën fund

“Për Maqedoninë e Veriut, 17 vite pritje morën fund”. Me këtë frazë e ka nisur fjalën e tij kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në konferencë e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe homologun e tij shqiptar Edi Rama.
Kovaçevski theksoi se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme që mundëson njohjen e gjuhës maqedonase, si një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian, duke i dhënë asaj mundësinë për një promovim të madh.
“Kjo do të nxisë progresin në vendet e tjera. Ne do të vijojmë si kemi bërë deri më tani, në një mënyrë të shkëlqyer, në interesin e qytetarëve tanë. Do të punojmë për veten tonë dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit. Është kënaqësi e madhe që pas 17-të vitesh hapim një perspektivë të re për vendin dhe qytetarët tanë. Dyert e hapura për gjuhën maqedonase e shikoj si një nga sukseset më të mëdha. Gjuha maqedonase do të ketë një promovim të madh. Do të kemi mundësinë ta dëgjojmë dhe se identiteti ynë do të mbetet ai që është. BE do të jetë më e pasur. RMV i përket BE-së dhe vendi ynë është në BE. Jemi gati për në BE. Nëse mund të parashikojmë një datë fillimi kjo do të jetë një datë historike”, komentoi kryeministri maqedonas.
Ora 09:18-Rama: Shqiptarët nuk u dorëzuan kurrë! Do ndërtojmë një vend europian dhe të fortë

Duke e konsideruar Konferencën e parë Ndërqeveritare jo si “fillimin e fundit, por fundin e fillimit”, kryeministri Edi Rama, në deklaratën për shtyp me Presidenten e KE, Ursula von der Leyen Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, dhe Kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala, tha se me rëndësi është që të ndërtojmë një Shqipëri europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të Hapur dhe demokratik.
“Dua të falënderoj Presidenten e KE, e cila e dinte si të bëhej një prani gjermano-ballkanike në këtë ndërtesë dhe të luftonte për të dy ne, BE dhe Ballkanin Perëndimor. Dua të falënderoj një tjetër zonjë gjermane që nuk është më aktive, pro pa të nuk do ishim këtu sot, Angela Merkel. Nuk do të ishim këtu pa përpjekjet e tepërta të Presidentit francez dhe ekipit të tij. Propozimi francez shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde. Faleminderit popullit shqiptar që kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk reshti së ëndërruari ndjekjen e rrugës europiane dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë pas 3 vitesh kaq shumë të ndërlikuar, tërmeti, pandemia, lufta krijuan një situatë të vështirë, por na forcuan. Ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit, por fundi i fillimit, por situata është kjo që është dhe është mirë kështu siç është dhe ne na duhet të ndërtojmë një Shqipëri europine të dhe të fortë dhe një Ballkan të hapur të fortë e demokratik”, tha Rama.
Ora 09: 13- Kryeministri çek: Do jemi më të fortë, zgjedhja juaj që është testuar shumë herë

Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, duke e konsideruar këtë si një “gurë kilometrik” në rrugën e integrimit të dy vendeve në BE. Ai tha se Unioni tashmë do të jetë më i fortë.
“Në emër të Presidencës çeke, ju uroj të dy vendeve tuaja për këtë gurë kilometrik. Ne do të jemi më të fortë dhe zgjedhja juaj që është testuar tashmë shumë herë. Duke patur parasysh agresion rus, ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj., Ne kemi nderin që një progres i tillë ndodh gjatë Presidencës sonë. Republika çeke dhe Europa Qendrore e di shumë mirë rëndësinë e integrimit europian për demokracinë. E ardhmja e Bashkimit Europian është brenda BE”.
Ora 09:00- Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen: Moment historik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka vlerësuar si “moment historik”, Konferencën e parë Ndërqeveritare mes BE- Shqipëri- Maqedonia e Veriut. Ajo, në një komunikim me mediat, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe të çekisë, Petr Fiala, ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për afrimin me BE-në, por dhe ka nënvizuar edhe plan personal përkushtimin e Ramës dhe Kovaçevskit, në këtë proces.
“Keni treguar shumë lidership, durim strategjik. Jo vetëm kaq. Në këto kohë me sfida të mëdha të sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës, ju keni treguar lidership. Ju falenderoj personalisht”, theksoi presidentja e KE-së.
Ajo ka deklaruar se Komisioni Evropian ka mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë gjithë rrugës, gjë që do të vijojë ta bëjë edhe në të ardhmen. Sipas saj, komisioni dhe grupet e punës do të fillojnë punën sot.
“Do të bëjnë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të filllojë punën që sot. Shqipëria do të bashkohet me mbrojtjen civile evropiane, lidhur me fatkeqësitë natyrore. Ndërsa me Maqedoninë e Veriut do të diskutohet për dislokimin e FRONTEX në kufijtë maqedonas. Të gjitha ligjet do të përkthehen në gjuhën maqedonase. Do të ketë një rritje të invetsimeve energji dhe transport. Qytetarët e dy vendeve tuaja e meritojnë të jenë në BE”, theksoi Ursula von der Leyen.
Ora 08:53- Rama takohet në Bruksel me Von der Leyen, Kovaçevskin dhe kryeministrin çek
I pranishëm në Bruksel, për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, kryeministri Edi Rama është takuar me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të çelin sot zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në BE.
Ora 08:06- Rama: Shqipëria në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar

Shqipëria ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar, për të filluar negociatat për anëtarësimin. Ky është mesazhi i publikuar nga kryeministri Edi Rama, në prag të nisjes sot të Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE, në Bruksel. Në postimin e tij të në rrjetet sociale, kryeministri vë theksin se kjo ditë bën krenar çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, besimit fetar dhe krahinës ku ai jeton.
“Me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”, është mesazhi i kryeministrit Rama, në prag të kësaj ngjarje të madhe për Shqipërinë, që fillon negociatat për në BE për anëtarësimin.
Ora 08:00- Nga Armando Meta: Shqipëri- BE, rruga e vështirë drejt integrimit

Vendi ynë pret të nisë Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE në Bruksel. Pas votimit në parlamentin maqedonas të propozimit francez që synonte zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, tashmë duket se formalisht nuk ka asnjë pengesë që Shqipëria të zhvillojë Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në, konferencë e cila e çon vendin tonë një hap më përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Por ky rrugëtim ka qenë mjaft i vështirë dhe me shumë të papritura për Shqipërinë. Për këtë qëllim duhet parë edhe kuadri historik Shqipëri- BE. Rtsh.al hedh një vështrim rreth këtij procesi, duke nisur që nga viti 1991. Por përpara se të rendisim faktet, fillimisht duhet kuptuar se çfarë është BE-ja.
Historia e Bashkimit Evropian
Historia e Bashkimit Evropian e ka zanafillën pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur 6 shtete të Evropës, përkatësisht Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu themeluan Komunitetet Evropiane, me qëllim që nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit ekonomik të promovonin paqen dhe prosperitetin në kontinent. Sot, në 2022, Bashkimi Evropian numëron 27 shtete anëtare dhe një sërë arritjesh duke e sjellë atë më pranë një bashkimi politiko-ekonomik sesa kurrë më parë. I konsideruar si një organizëm politik sui generis, ai është zhvilluar në shumë drejtime duke marrë kompetenca shtetërore në një sërë fushash të politikave publike, dhe duke krijuar një lidhje më të afërt me qytetarët evropianë.
Historiku Shqipëri- BE
– Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike: Që prej vitit 1991, menjëherë pas rënies së sistemit komunist dhe me vendosjen e regjimit demokratik, Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian, si shprehje e vullnetit të saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, vlerat e të cilës ajo i aspiron fuqishëm edhe sot.
– Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit (MSA): Sa i përket procesit politik dhe ligjor të anëtarësimittë Shqipërisë në BE, momenti i parë që i çeli rrugën asaj drejt aderimit në këtë organizëm është viti 2004, kur Shqipëria nënshkroi MSA me BE-në. Kjo marrëveshje përbën kuadrin politik dhe ligjor bazë të procesit të anëtarësimit të vendit në BE dhe kuadri i përbashkët i marrëdhënieve të BE me Ballkanin Perëndimor.
– Samiti i Selanikut: MSA-ja ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë u parapri nga një vendimmarrje e rëndësishme e vendeve anëtare për rajonin, që u arrit në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku u përcaktua perspektiva e anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe i hapi rrugë shfrytëzimit të instrumenteve të përdorur në vendet e tjera anëtare.
– Kërkesa zyrtare për anëtarësim: Në prill të 2009, më pak se një muaj nga hyrja në fuqi e MSA shteti shqiptar dorëzoi kërkesën zyrtare për anëtarësimin në BE.
– Liberalizimi i vizave: Në qershor të vitit 2010, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miraton heqjen e vizave me Shqipërinë.
– Statusi i vendit kandidat: Një nga komentet kyçe të avancimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE është Qershori i vitit 2014 ku Këshilli i Ministrave te BE miratojnë unanimisht dhënin e statusit kandidat për Shqipërinë.
– Hapja e negociatave: Në 20 Mars 2020, Këshilli Evropian i BE miratoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë
Ballkani Perëndimor në BE
Perspektiva e Ballkanit në BE u formalizua në vitin 2003 në Samiti i Selanikut, dhe pavarësisht skepticizmit lidhur me zgjerimin të disa prej vendeve anëtare, veçanërisht, Francës, Holandës apo Danimarkës, ka vazhduar të jetë e tillë deri më sot, duke u artikuluar fuqishëm nga institucionet e BE, posaçërisht Komisionit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Znj. Ursula von der Leyen, në fjalën e saj në fjalimin drejtuar Unionit të BE në Shtator 2020, theksoi se “Evropa do të jetë gjithmonë gati për të ndërtuar partneritet të fortë me fqinjët e saj më të afërt. Kjo fillon me Ballkanin Perëndimor. Vendimi gjashtë muaj më parë për të hapur negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte me të vërtetë historik! Realisht, e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE. Ne ndajmë së bashku të njëjtën histori dhe të njëjtin fat.
Kriteret e anëtarësimit në BE
Shtetet që aspirojnë të bëhen pjesë e Unionit, përfshirë Shqipërinë duhet të plotësojë një sërë kriteresh për anëtarësim apo ndryshe “Kriteret e Kopenhagës”. Në thelb, këto kritere përfshijnë tre drejtime apo shtylla kryesore:
Procesi i monitorimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit realizohet në mënyrë të vazhdueshme nga Komisioni Evropian i cili i publikon rezultatet e monitorimit të progresit në raportet e tij vjetore. Çdo vit aty pasqyrohen arritjet, stanjacioni, dhe rastet hapave pas në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të anëtarësimit.
Zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor
Më 5 shkurt të vitit 2020 Komisioni Evropian paraqiti një propozim për “Forcimin e procesit të aderimit – një perspektivë e besueshme në BE për Ballkanin Perëndimor”, e cila u mbështet nga Këshilli Evropian në muajin mars të po këtij viti. Në thelb, kjo qasje, synon të rivalizojë procesin e aderimit duke e bërë atë më të parashikueshëm, më të besueshëm, më dinamik dhe me drejtim të fortë politik, bazuar në kritere objektive dhe rigoroze si dhe kushtëzimin negativ e mundësinë e kthimit pas. Kjo qasje konsiston kryesisht në:
- Një proces të besueshëm të aderimit, që nënkupton besim të ndërsjellët dhe angazhime të qarta si nga BE-ja ashtu dhe vendet e Ballkani Perëndimor dhe forcimin e kredibilitetit të procesit përmes një fokusi edhe më madh tek reformat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonomia e vendeve kandidate.
- Një drejtim politik më të fortë, pasi natyra politike e procesit të aderimit kërkon një drejtim dhe angazhim më të fortë politik në nivelet më të larta. Kjo lips rritjen e mundësive për dialog të nivelit të lartë politik përmes samiteve të rregullta BE-Ballkan Perëndimor dhe kontakteve të intensifikuara ministrore. Për më tepër, Shtetet Anëtare duhet të përfshihen më sistematikisht në monitorimin dhe rishikimin e procesit.
- Një proces më dinamik. Për të injektuar dinamizëm të mëtejshëm në procesin e negociatave, kapitujt e negociatave do të grupohen në gjashtë grupe tematike që janë: i. aspektet themelore; ii. tregu i brendshëm; iii. konkurrenca dhe rritja përfshirëse; iv. axhenda e gjelbër dhe konektiviteti i qëndrueshëm; v. burimet, bujqësia dhe kohezioni; vi. marrëdhëniet e jashtme.
Gjithashtu, negociatat do të jenë të hapura në tërësi për secilin grup – pasi të kenë përmbushur standardet e hapjes – dhe jo mbi baza individuale të kapitullit. Negociatat mbi aspektet themelore do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit, dhe procesi lidhur me to do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
- Një proces më i parashikueshëm. Komisioni do të sigurojë një qartësi më të madhe në lidhje me atë çka BE –ja pret nga vendet e zgjerimit në fazat e ndryshme të procesit, duke bërë më të qartë se çfarë pasojash pozitive mund të sjellë progresi në reforma dhe çfarë pasojash negative mungesa e tij.. Negociatat mund të pezullohen në fusha të caktuara, ose në raste më të rënda, të pezullohen totalisht, dhe kapitujt tashmë të mbyllur mund të ri-hapen.
- Si ka performuar Shqipëria në përmbushjen e këtyre kritereve deri më sot?
Që prej fillimit të procesit të anëtarësimit Shqipëria ka bërë hapa përpara për përmbushjen e secilit prej tyre, por nga ana tjetër një sërë fushash kyçe mbeten ende për tu përmbushur, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kriteret politike. Ka mangësi edhe në kriteret ekonomike dhe pak më pak në ato ligjore.
Kështu, fushat kryesore ku Shqipëria çalon kanë të bëjnë kryesisht me demokracinë, dhe shteti i së drejtës, sistemi zgjedhor, reforma në drejtësi dhe administratën publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat e njeriut si liria e shprehjes, mosdiskriminimi, etj.
Kriteret kyçe deri në hapjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare
Fushat dhe kriteret ku Shqipëria ende ka mangësi janë të përmbledhura jo vetëm në Raportin e Vlerësimit të Komisionit, por edhe në vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të marsit të këtij viti.
Vendimi në fjalë i Këshillit u parapri nga vendimi i Bundestagut gjerman, shtatorin e kaluar, që miratoi një rezolutë që lejon qeverinë të mbështesë bisedimet e pranimit me Shqipërinë, duke renditur njëkohësisht kushtet e kërkuara për konferencën e parë dhe të dytë ndërqeveritare.
Kushtet e Këshillit Evropian për hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare përmblidhen si më poshtë:
- Reforma zgjedhore: Shqipëria duhet të miratojë dhe zbatojë reformën zgjedhore plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE /ODHIR, duke siguruar financimin transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore.
- Reforma në drejtësi: Shqipëria duhet të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe të finalizojë ngritjen e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, kërkohet fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjelle penale gjatë procesit të vettingut si dheregjistrimi i procedimeve në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë zyrtarët e lartë dhe politikanët.
- Lufta kundër korrupsionit: Një tjetër pjesë kryesore e reformës gjyqësore e cila filloi në 2016 ishte krijimi i Strukturës Speciale Anti-korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila përbëhet nga Zyra e Prokurorisë Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKH). Aktualisht SPAK ka 13 nga 15 prokurorë, ndërsa BKH-ja është ende në fazën e rekrutimit të anëtarëve, ndërsa është emëruar drejtuesi i tij. Procesi i shqyrtimit të kandidatëve (screening) aktualisht është duke vazhduar.
- Lufta kundër krimit të organizuar: Shqipëria duhet të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë nëpërmjet bashkëpunimin me Shtetet Anëtare të BE dhe Planit të Veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Forcës së Veprimit.
- Reforma në administratën publike: Pjesa tjetër e kushteve të përcaktuara nga Këshilli kanë të bëjnë me përpjekjet e reformës për një kohë të gjatë, duke përfshirë arritjen e progresit të prekshëm në lidhje me reformën e administratës publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




