Hapet gara për aksin Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu! Rama: Vepër e shumëpritur! Faza tjetër janë hekurudhat

Ministrja e Infrastrukturës, njëherësh zv.Kryeministrja Belinda Balluku dhe Kryeministri Edi Rama kanë bërë me dije se është hapur gara për aksin Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu. Balluku ka deklaruar se aksi Milot-Fier është një projekt jo vetëm kombëtar por edhe rajonal e europian i cili lidh Malin e Zi Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare që sot për sot ndalet në jug të Kroacisë. Ky aks do të jetë autostrada e parë në Shqipëri që do të ketë shpejtësi maksimale deri në 130 km/h.
“Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë për ne. Por do të ishte më mirë që ta zhvillonim në një moment të dytë. Nga Miloti deri në Fier kemi vendosur ta segmentojmë. Milot, Thumanë, Kashar Lekaj e Rrogozhinë dhe më pas Lekaj-Fier do të jenë akset përbërëse.
Për aksi Thumanë Kashar ka nisur ndërtimi. Të gjithë segmente do të ruajnë parimet kryesore. Të gjitha segmente do të jenë të shoqëruara edhe nga një rrugë dytësore. Shpejtësia e lejuar në aksin kryesor me pagesë do të jenë nga 90-130 km. Zhvillimi i këtij projekti ka synime. Rritja e ndjeshme e punësimit, kushte më të sigurta të drejtimit, kosto më e ulët e transportit, rritja e turizmit përmes shkurtimit të distancave. Do të ketë ndikim të ndjeshëm në tregtinë e jashtme të vendit. Ne tani kemi një përvojë të mirë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Kemi përfunduar rrugë që qëndronin rrugëve”, tha Balluku.
Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si një vepër me një impakt të jashtëzakonshëm dhe të shumëpritur prej vitesh.
“Një ditë shumë e rëndësishme për të qenë dhe personalisht i pranishëm. Bëhet fjalë për një vepër madhore me një impakt të jashtëzakonshëm. Është një vepër e shumëpritur prej shumë vitesh. Është një vepër që në krye të herës arritëm ta përfshijmë në rrjetin e qarkullimit europian. Është një vepër që e futëm në kanalin e financimeve në kuadër të procesit të Berlinit, por koha që na mori ai proces në prije të financimit ishte e gjatë. Ne vendosëm të ecim vetë. Fatmirësisht nuk shkoi e gjitha dëm sepse mundëm të marrim nga ËBAF asistencën e nevojshme që sot vazhdon dhe me segmentin që për momentin është lënë mënjanë, ai i Milot-Murriqanit që sapo të përmbyllet konsulenca do futet në garë. Nga hyrja në Murriqan deri poshtë ne Fier do kemi boshtin e korridorit blu që do u shërbejë të gjitha zonave që janë rreth këtij korridori, turizmit dhe bujqësisë, një transformimi ekonomiko-social dhe vetë lëvizjes në unazën më të madhe që është unaza e Mesdheut.
Do e bëjë Shqipërinë më të aksesueshme nga pikëpamja turistike përmes tokës. Kroacia e gëzon gjerësisht dhe padiskutim do u japë fund të gjithë kësaj periudhe dhjetëra vjeçare vështirësish në aksin nga kthesa e Kamzës, apo Kashari lart në Milot, Lezhë dhe drejt Shkodrës, që problemet e sigurisë janë evidente. Do jetë një aks me certifikatë sigurie të BE. Do jetë një aks shpejtësie që do jetë vlerë e shtuar si pjesë e lëvizjes nga rruga e Kombit deri poshtë për në Durrës apo dhe më tej për në Vlorë. Nuk është i gjithë segmenti, është një pjesë e tij. Segmenti pastaj vazhdon më tej në pjesën jug-lindore të vendit, por është pjesa më kritike e korridorit blu”, tha Rama.
Kryeministri është ndaur më tej edhe te projektet e ardhshme një prej të cilave janë hekurudhat. Rama shprehet se me aeroportet dhe me infrastrukturën rrugore nuk ka shumë punë, por hekurudhat do te jenë një fazë që do të ketë shumë punë për të bërë.
“Jam besimplotë që gara do jetë e suksesshme. Më vjen shumë mirë që të gjitha ato që thanë për një tender të parafabrikuar, rezultuan një vrimë e madhe në ujë. Gara u bë me një rigorozitet të atillë që dhe një kompani e madhe që u paraqit nuk arriti dot ta merrte pasi oferta e saj nuk ishte në interes të vendit dhe në interes të pjesës që ne përfaqësojmë, me afate jashtëzakonisht të gjata dhe me kërkesa që ne nuk mund t’i plotësonim. Me këtë korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë. Po punojmë për projektin e zgjerimit të rrugës nga Elbasani në Qafë Thanë dhe po punojmë me BE dhe planin ekonomik të investimeve që korridori tetë të jetë një realitet në pikëpamjet e çdo standarti. Dhe faza tjetër është faza e hekurudhave.
Aeroporti i Mynihut që është operatori i parashikuar për Vlorën ka lancuar një tender të vetin atje përsa i përket mjeteve të logjistikës së operimit gjë që konfirmon kredibilitetin e plotë të projektit, standartet europiane dhe mjedisore dhe konfirmon suksesin e garantuar të atij projekti.
Aeroporti i Kukësit ka filluar të rritet. Planet janë të qarta, në një kohë të arsyeshme do jetë pikë referimi për gjithë zonën që prek anën tonë dhe të Kosovës. Do hapet gara së shpejti për aeroportin e Sarandës. Me infrastrukturën rrugore kjo vepër pothuajse e mbyll të gjithën në akset kryesore.
Tjetra fazë është e hekurudhave, që kemi filluar me Tiranë-Durrës por kemi shumë për të bërë aty, me hekurudhën drejt Hanit të Hotit, Durrës-Prishtinë dhe të Korridorit të tetë”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




