Hapet në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita me titull “Ngjyrat dhe Trajtat”, me autore Adriana Nimani Kutllovci

Në Muzeun Historik Kombëtar u hap për publikun ekspozita me titull “Ngjyrat dhe Trajtat”, me autore Adriana Nimani Kutllovci.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë të jem sot në këtë ekspozitë, e cila i jep mundësinë publikut të kryeqytetit, të njihet me një tjetër hapësirë të rëndësishme artistike dhe kulturore ku pasqyrohet përmes gërshetimit sinjifikant të ngjyrave dhe trajtave të ndryshme siç janë vizatimi, piktura dhe grafika dixhitale”.
Ndërsa, present ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Skënder Durmishi i cili i përshëndeti të pranishmit: “Është vërtetë kënaqësi e imja që më është dhënë rasti për t’ ju përshëndetur. Artistja Adriana është një emër që ka krijuar tashmë identitet dhe reputacion të mirë. Gëzohem dhe krenohem me këto vlera sepse janë pjesë e progresit dhe e përparimit të Kosovës edhe në fushën e artit që është gjithsesi një element tepër i rëndësishëm. Ne në punën tonë të përditshme e kemi edhe si detyrë me program qe t’i japim pak më shumë hapësirë diplomacisë kulturore, pasi që kjo është një gjuhë të cilën e kuptojnë të gjithë dhe ka efekte te jashtëzakonshme. Ne relacionet mes nesh jam i sigurtë që arti është ai që na bën të ofrohemi shpirtërisht më shumë dhe të duhemi edhe më shumë”.
Artistja Adriana Nimani Kutllovci i përshendeti të pranishmit:
“Jam shumë e lumtur që sot po hap ekspozitën time personale në Tiranë, me gjithsej 68 punime të ndryshme. Këto tri vite kam punuar kryesisht në 5 disiplina: vizatim, pikturë në pëlhurë, pikturë digjitale, grafike digjitale dhe poster.
Ideja e kësaj ekspozite erdhi kur në vitin 2019 mora pjesë në ekspozitën ndërkombëtare Zagreb “Full Color”, me c’rast nga juria ndërkombëtare fitova çmimin e parë ‘Plaketa e Arte’ dhe fitova të drejtën për ekspozitë personale në Zagreb. Mirëpo, për shkak të pandemisë gjatë vitit 2020, ekspozita anulohet. Dhe pastaj, brenda një periudhe tre vjeçare jam pregatitur për të sjellë sot këtë ekspozitë me titull “Ngjyrat dhe trajtat”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 22 Prill 2022 në ambientet e Hollit Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. Pas Tiranës, ekspozita do të hapet edhe në Berat, në muajin maj në Galerinë ‘Edëard Lir’.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




