Hapet për herë të parë shkollë e mesme për nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë

Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë për herë të parë këtë vit do të kenë një shkollë të mesme ku të vijojnë studimet e tyre. Pas vitesh të tëra kërkesash për krijimin e një shkolle të mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se këtë shtator hapet për herë të parë shkolla e mesme në vend.
Kjo shkollë do të jetë e profilizuar në fushën e Teknologjisë dhe TIK duke bërë që këto nxënës që mbarojnë klasën e nëntë të vijojnë të bëhen më të aftë, të fitojnë një profesion dhe të integrohen më mirë në shoqëri.
“Në një nga vizitat që kam zhvilluar në Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë më ka mbetur në mendje kërkesa e Anisës dhe Kejsit, dy nxënëse të kësaj shkolle që mbaronin klasën e nëntë dhe dëshironin të vazhdonin shkollën e mesme si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Sot jam e lumtur të ndaj me to, si dhe të gjithë nxënësit e mrekullueshëm të këtij instituti, lajmin e shumëpritur që më në fund, pas shumë vitesh kërkesa nga mësuesit dhe prindërit, kemi vendosur hapje e shkollës së mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë në fushën e të nxënit Teknologji dhe TIK. Që prej shtatorit të këtij viti, të gjithë nxënësit që mbarojnë klasën e nëntë në këtë institut nuk do të qëndrojnë më në shtëpi, por do të kenë mundësi të vijojnë studimet dhe të fitojnë një profesion, për t’u bërë më të aftë për jetën e tyre, për t’u integruar dhe për të dhënë më shumë kontribut në shoqëri”- njofton ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




