Hapet Portali i Fermerit, Rama: Bën transparencë të çmimeve! Kompanitë që s’deklarojnë pagat s’do marrin as fonde

Politikë | 4 vite më parë

Në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve është hapur edhe Portali i Fermerit,  ku në foks të saj do të jetë informimi në çdo sektor të bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit lidhur me politik-bërjen dhe tregjet e tyre, çmimet dhe skemat e mbështetjes.

Një nga dobitë e këtij portali do të jetë edhe krijimi i një partneriteti më të drejtë mes fermerëve dhe grumbulluesve, ku në të do të mund të dalin çmimet reale të produkteve çdo mëngjes. Kjo tha Rama, do të largoj truket që bëjnë grumbulluesit me çmimet për shitjen e produkteve.

“Ky portal bën transparencë të plotë të çmimeve dhe çdo mëngjes fermeri shikon çmimin dhe asnjë grumbullues nuk i fshihet dot çmimit real duke bërë truke. Ky portal të jep mundësitë të shikosh se kush janë rrugët për të marrë financim dhe të shikosh se çfarë kanë bërë ata që kanë marra financim”, tha Rama.

Në kuadër të rritjes së pagave dhe trajtimit dinjitoz të punonjësve, Rama pati një paralajmërim edhe për sipërmarrjet në sektorin e zhvillimit rural. Teksa theksoi se nuk i detyron dot kompanitë të rrisin pagat, Rama tha se nëse ato nuk deklarohen të plota dhe janë përtej logjikës së tregut, nuk do të marrin fonde të projekteve të ndryshme.

“Ne nuk i detyrojmë dot kompanitë se jemi një sistem që vepron sipas lirisë së tregut, por ne mund ti themi se t’i nuk merr dot asnjë fond nga taksat e shqiptarëve nëse paguan punëtorin në ndërtim me 30 mijë lekë sepse ti je një shfrytëzues dhe jo një sipërmarrës.

Ndërsa për sa i përket kompanive në këtë sektor ne do ta lidhim këtë me fondet e projektet. Sigurisht, duke u konsultuar, duke vendosur një dysheme të arsyeshme, patjetër, por ta bëjmë gjithmonë e më të vështirë që të merren fonde me punëtorë që paguhen gjysma kështu e gjysma ashtu, apo me paga që janë të paarsyeshme për punëtorët”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se nga ky portal do të mund të përfitojnë jo vetëm fermerët, por kushdo që do të bëjë një investim apo nis një sipërmarrje duke marrë të dhëna të sakta që më pas t’i përdor për investime më të mira

“Ajo për të cilën të gjithë kemi nevojë në këto kohë është informacioni, ajo që bën diferencën në sektorin e zhvillimit rural është informacioni. Ajo që ka sjell përmirësim të vazhdueshme të sipërmarrjeve është në radhë të parë informacioni dhe më pas të gjithë elementët e tjerë të domosdoshëm.

Ne kaluam nga një bujqësi e centralizuar e bazuar në kooperativa, në një bujqësi ku secili vraponte për vete. Sot jemi në një fazë të ndërmjetme mes kësaj të fundit dhe asaj që synojmë, ku është rritja e kapaciteteve, kapitalit njerëzor dhe rritja e aftësisë për të pasur akses në financimet e ndryshe që nga ato shtetërore, te donatorët dhe financimet europiane. Ju përmirësuat kapacitetet tuaja për të kuptuar se çfarë duhet të bëni në hapin tjetër.

Ky portal është një hap I rëndësishëm për të gjithë ata që do e përdorin, pasi do të mund të fitojnë pavarësi nga të gjithë kthesat dhe pengesat që vijën nga keqinformim që jo gjithmonë ndodh qëllimisht. Do kenë në kohë realë të gjithë komponentët të zhvillimit rural për të analizuar më pas atë bazë të dhënash për sipërmarrjet dhe investimet e tyre”, tha Rama

Ky portal (www.agroalbania.al) mundëson informacion në kohë reale mbi tregjet, çmimet, analizat ushqimore, skemat aktive të mbështetjes dhe instrumentat e financimit, kujdesin veterinar, ofertën e farmacive bujqësore, tipologjinë e grumbulluesve, mundësitë e tokave me qira, legjislacionin në fuqi e shumë informacione të tjera, që do të sjellë një lehtësim të jetës së fermerëve.

Portali i fermerit

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme