Hapja e negociatave, Balla: Procesin synojmë ta kryejmë në bashkëpunim me opozitën

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar sot se maxhoranca synon që në rrugën drejt integrimit të plotë të vendit në BE, të shkojë në bashkëpunim me opozitën.
Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Grupit, Balla theksoi se gjithë përfshirja është e domosdoshme dhe se reformat e tjera të rëndësishme synojnë t’i çojnë përpara përmes bashkëpunimit.
“Grupi i PS do të marrë të gjitha përgjegjësitë. Kjo fazë e re kërkon një qasje të re dhe përgjegjësi të reja. Gjithçka synojmë ta kryejmë në bashkëpunim me opozitën sepse duhet të kuptojmë që gjithë përfshirja është e domosdoshme. Synojmë përmes dialogut dhe bashkëveprimit të çojmë përpara reformat të tjera të rëndësishme. Konferenca e parë ndërqeveritare ka definicion të qartë. Unë nuk i heq asnjë pikë dhe asnjë presje nevojës që ka shprehur kryeministri sot, kur tha se duhet ta kemi opozitën, flas për atë opozitë të përgjegjshme, nuk flas për një element të caktuar që i ka shpallur luftë aleatëve të Shqipërisë, ftesa është e sinqertë”, tha ai.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit të BE në godinën e kryeministrisë, kryeministri Edi Rama shprehu keqardhjen e tij për mungesën e opozitës, teksa shtoi se Partia Demokratike ndodhet në një hendek që, sipas tij, bie ndesh me frymën e BE. Opozita mungoi po ashtu edhe në tryezën e përbashkët që u mbajt në Bruksel ditën e djeshme (19 korrik) për hapjen e negociatave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



