Hapja e negociatave, Begaj: Tani e kemi ne në dorë rrugëtimin drejt BE-së

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka përshëndetur hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Në njoftimin e presidencës bëhet e ditur se kreu i Shtetit ka vlerësuar se ky është një lajm i mirë për shqiptarët në përmbushje të aspiratës për të qenë pjesë e bllokut evropian.
Në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale, Begaj, shkruan se “lajmi që Shqipëria hap kapitullin e reformave themelore të negociatave për anëtarësim të plotë në BE mbush me shpresë çdo shqiptar në realizimin e ëndrrës së kahershme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Tani ne kemi në dorë ritmin e këtij rrugëtimi. Jam shpresëplotë për progresin dhe suksesin!”.
Më herët në konferencën ndërqeveritare që u mbajt sot mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó deklaroi se BE duhet të ndërmarrë hapa urgjente për përshpejtimin e procesit të zgjerimit.
Ai vuri në dukje se besueshmëria ndaj Bashkimit Evropian ka rënë së fundmi, veçanërisht sa i përket politikës së procesit të zgjerimit.
Për këtë arsye, kryediplomati hungarez vuri në dukje se koha e pritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor ka përfunduar, ndaj sipas tij, procesi i zgjerimit duhet përshpejtuar.
Ministri i Jashtëm hungarez, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së u shpreh se Shqipëria ka bërë progres dhe ndaj duhet që procesi i anëtarësimit të bëhet më i shpejtë.
“Na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani. Nga ana tjetër, shumica e shteteve anëtare shprehen se zgjerimi duhet të jetë i mbështetur në merita. Këtë dëgjojmë shumë shpesh dhe meritat janë qartësisht nëse do të shihnim arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, qofshin në ekonomi, në politikë, në çështjet sociale”, theksoi më tej Péter Szijjártó.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




