Hapja e negociatave, flamuri i BE ngrihet në godinën e Kryeministrisë, Rama: Shqipëria kalon në një tjetër nivel

Flamuri i Bashikimit Europian është ngritur sot (20 korrik) në godinën e Kryeministrisë, një ditë pas organizimit të Konferencës së parë Ndërqeveritare, që shënoi edhe hapjen zyrtarisht të negociatave. I pranishëm në ceremoni, ku po ashtu ishin edhe përfaqësues të BE dhe ambasadorja e SHBA Yuri Kim, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një ditë e re për Shqipërinë dhe se ngritja e flamurit të BE, shënon kalimin e Shqipërisë në një tjetër nivel.
“Sot është një ditë e re për Shqipërinë. Ngritja e këtij flamuri shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, në çdo drejtim. Ky moment shënon ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe qytetarëve shqiptarë me vlerat, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike europiane”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te opozita, ku tha se do të donte që edhe ata të ishin të pranishëm në ceremoni, pasi niveli i ri i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në, kërkon edhe një nivel të ri të marrëdhënieve qeveri-opozitë. Por për Ramën, Partia Demokratike ndodhet në një hendek që, sipas tij, bie ndesh me frymën e BE.
“Do të doja që sot të ishte këtu edhe opozita, jo thjeshtë sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mbanë vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me BE kërkon një nivel të ri marrëdhëniesh të qeverisë me opozitën. Por opozita ndodhet në një hendek të madh. Me një krah që bie nesh me çdo parim të BE dhe një pjesë që ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët ndërkombëtar dhe këta të dytët edhe kur i fton nuk vijnë se kanë frikë nga të parët. Mes përfaqësuesve të vendeve mike ka disa që i gëzohen kësaj arritje më shumë se disa syresh mes gjindjes sonë që nxijnë si shpirti i tyre”, u shpreh kryeministri.
Duke përmendur vështirësitë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, Rama iu drejtua përfaqësuesve të drejtësisë së re duke i bërë thirrje për integritet në punën e tyre. Kryeministri theksoi edhe njëherë se qeveria nuk do t’i bëhet mburojë askujt, duke i garantuar institucioneve të drejtësisë mbështetje.
“Nga sot rruga jonë nuk bëhet më e re, por shumë më sfiduese dhe përballja me plagët e të shkuarës hyn në një fazë të re. Fryma e ndryshimit hyn në një thellësi të re. Dua t’i them sot përfaqësuesve të drejtësisë së re se shpejtësia e anëtarësimit të vendit në BE do të varet shumë nga integriteti dhe puna e tyre. Mos ja mohoni për asgjë në botë fëmijëve tuaj Shqipërinë Europiane që e meritojnë dhe sa kohë unë të jem këtu qeveria nuk do bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj dhe nuk do ndiheni kurrë vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ngritja e flamurit të BE në institucionet tona do të thotë ngritja në një nivel tjetër e kësaj lufte dhe ngritja e qeverisjes në një nivel tjetër. Kjo fazë e re kërkon mbrojtje të re të të dhënave të gazetarëve dhe do angazhohemi për të përmirësuar gabimet tona dhe për të përsosur vijën e sjelljes, por edhe për zgjidhjen e halleve të tyre në raport me punëdhënësit. Jam i vetëdijshëm që flamuri europian e ëndrrave dhe shpresave shqiptare, barrën më të madhe të detyrimeve e vendos mbi shumicën qeverisëse. Të gjithë kanë kusuret e të metat e tyre, por kusuret e të metat tona, lidhen me të gjithë”, theksoi kreu i qeverisë.
19 korriku ishte një ditë historike për Shqipërinë, ku pas vitesh të tëra pritje e zvarritje, zyrtarisht u hapën negociatat e anëtarësimit në BE. Megjithatë procesi që vjen më pas nuk do të jetë i lehtë.

Në total janë 35 kapituj që duhet të hapen dhe të mbyllen gjatë diskutimeve me dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. I gjithë procesi i bisedimeve është konceptuar në metodologjinë e BE-së si proces përgatitor, që përafron legjislacionin e vendit kandidat me atë të BE-së, përgatit përmes forcimit të pavarësisë dhe rritjes së efikasitetit e profesionalizmit institucionet e vendit kandidat deri kur të gjitha vendet anëtare të unionit të vlerësojnë se vendi kandidat është gati për anëtarësim.
Kapituj nisin nga bujqësia, mjedisi, peshkimi e deri te drejtësia, liritë e të drejta themelore të njeriut dhe konkurrenca e tregu i lirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



