Hapja e negociatave, komisioni i Integrimit jep dakordësinë për ndryshimet në ligjin për protokollin dhe ceremonialin shtetëror

Politikë | 4 vite më parë

Me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, nuk janë vetëm ndryshimet ligjore me qëllim përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë të Unionit, por do të ketë harmonizim edhe të aspekteve protokollare dhe të ceremonialit.

Për këtë qëllim, qeveria, nëpërmjet një Akti Normativ, ka ndërhyrë në ligjin “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”.

Ky Akt Normativ tani po kalon nëpër komisionet parlamentare. Nën drejtimin e kryetares, Jorida Tabaku, komisioni për Integrimin Evropian i Kuvendit zhvilloi një seancë lidhur me këtë çështje. Për të mbrotjur ndryshimet ligjore e ftuar në komision ishte zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino.

Ajo, në fjalën e saj, u shpreh se me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, lind nevoja që institucionet e shtetit shqiptar të përshtatin aspektet protokollare dhe të ceremonialit shtetëror, për të pasqyruar këtë hap të rëndësishëm për vendin tonë.

“Duke qenë në pritje të zhvillimeve të vrullshme dhe të takimeve intensive ndërmjet ekipeve negociuese, që pritet të ndodhin së shpejti, të cilat janë në vijim të përgatitjeve më të hershme, për ngritjen e strukturës së negociatave të anëtarësimit, si dhe ndërmarrjes së reformave të vështira thelbësore, ky akt normativ duhet miratuar me urgjencë, për të qenë të përgatitur në afatin më të shkurtër si nga ana ceremoniale, ashtu dhe protokollare.“- theksoi Fino në fjalën e saj.

Pas diskutimesh, anëtarët e komisionit e miratuan Aktin Normativ.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme