Hapja e negociatave, Kryemadhi: Fillimi i një kapitulli të ri, ata që janë në karriget e pushtetit s’e duan integrimin

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka përshëndetur hapjen e negociatave me BE duke e cilësua si një kapitull të ri për Shqipërinë. Ajo thekson se LSI do të punojë fort për të ecur para me legjislacionin që çon para integrimin, ndërsa akuzon qeverinë se nuk e dëshiron integrimin vendit dhe se dëshirojnë ta pengojnë këtë rrugë që ka nisur sot Shqipëria.
“Mirënjohje ndaj çdo vendi të Bashkimit Europian, për këtë ditë të sotme të çeljes zyrtare të negociatave, që i hap rrugën procesit më të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë me të drejta të plota në familjen europiane. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri, ndërsa detyrat për ta çuar përpara këtë rrugë, e ngarkojnë çdo aktor politik e shoqëror në vend, me përgjegjësi të reja për të realizuar transformimin rrënjësor e të gjithanshëm që Shqipëria europiane ka nevojë! Njerëzit në karrige nuk e duan dhe do të bëjnë çmos për ta dështuar këtë rrugë, në favor të autokracisë së pushtetit të tyre. Qeveria shqiptare institucionalisht, duhet të çlirohet nga praktikat e deri tanishme korruptive, klienteliste, në shkelje të ligjit dhe ndrydhje të të drejtave e lirive të qytetarëve. LSI si parti parlamentare dhe forcë vendimtare në vend, do të dedikojë energjitë për të çuar përpara nismat ligjore dhe angazhimet institucionale që e realizojnë sa më parë integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Tepër kohë është humbur me dështime për shkak të vendimeve personale të politikës së ditës. Duke vonuar integrimin në BE, kemi humbur qytetarët tanë që janë larguar në emigrim drejt jetës më të mirë në BE”, shkruan Kryemadhi.
19 korriku shënon një ditë historike për Shqipërinë ku u zhvillua Konferenca e Parë Ndërqeveritare që shënon dhe hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e vendit drejt familjes europiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




