Hapja e negociatave me BE-në, Berisha: Një arritje e madhe për shqiptarët

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka reaguar pas hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Me një postim në Facebook, Berisha shkruan se kjo është një arritje e madhe për shqiptarët, teksa ia atribuon arritjeve të Partisë Demokratike kur ishte në pushtet, duke përmendur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhënin e statusit kandidat për Shqipërinë apo heqjen e vizave.  

“Të dashur miq, sot në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Duke përshëndetur këtë akt dhe falënderuar me mirënjohje të thellë Bashkimin Europian për vendimin fisnik ndaj Shqipërisë, që vjen pas firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE në vitin 2006; pas pranimit nga BE-ja të kërkesës së Shqipërisë për vend anëtar në vitin 2009; pas akordimit heqjes së vizave për Shqipërinë në vitin 2010 dhe pas dhënies së statusit të vendit kandidat nga Komisioni Europian në vitin 2012, të cilin e bllokoi Edi Rama me këshilltarët e Fierit, kjo është një arritje madhore e bazuar në arritjet e përmendura më sipër”, shkruan Berisha.

Duke mos komentuar mungesën e një përfaqësie nga opozita në Bruksel, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama si të korruptuar, duke shtuar se progresi i Shqipërisë në rrugën e negociatave me BE-në është mision i pamundur me të në krye.

“Më këtë rast, Partia Demokratike, duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Europian, thekson se Edi Rama, njeriu që përfaqëson sot Shqipërinë në Bruksel, me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin dhe korrupsionin, qëndrimin autokratik ndaj mediave dhe kontrollin e gjyqësorit është shkaku kryesor:

1- i refuzimit të hapjes së negociatave 5 herë në këto vite.

2- i mosplotësimit të kushteve, siç deklaron rezoluta e fundit e Parlamentit Europian dhe deklarata e sotme e përfaqësuesve të CDU-së në Bundestagun gjerman. PD thekson se sot negociatat u hapën në Bruksel pasi Edi Rama ka vendosur në Shqipëri, duke dhunuar votën e shqiptarëve, monizimin e plotë, pushtetin një partiak të njëjtë me janarin e vitit 1990.  Ne këtë kontekst, PD beson se progresi i Shqipërisë në rrugën e negociatave me BE-në është mision i pamundur. Por Partia Demokratike siguron shqiptarët se, Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do të shpëtojë shpejt vendin nga regjimi i Ramës, dhe me reforma të thella dhe të gjithanshme, rruga e integrimit të vendit në BE do të njohë normalitetin dhe shpejtësinë që meriton!”, thotë Berisha.

Pas vitesh të tëra pritje, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u ulen sot (19 korrik) në të njëjtën tryezë me vendet anëtare të BE, në Konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme