Hapja e negociatave, Rama: Mekanizimi i BE i vjetruar! Duhet të jemi pjesë e Europës politike

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Amsterdam, ka zhvilluar një bashkëbisedim në qendrën e mirënjohur “De Balie”. I pyetur mbi çështjen e integrimit në BE, Rama tha se problemi nuk është  veto e Bullgarisë, por mekanizmi i vjetruar i BE. Sipas Ramës, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po mbahen “peng” në këtë proces për synime të brendshme.

Edhe njëherë, Rama theksoi se synimi i Shqipërisë është anëtarësimi në BE, por shtoi se teksa presim që kjo të ndodhë, vendi do të vijojë me reformat e tij.

“Bashkë me Maqedoninë e Veriut jemi përpjekur të futemi në BE. Ne jemi Ballkani që vjen me ca telashe. Ne duam të jemi pjesë e BE dhe më pas nëse vendet, si Bullgaria në këtë rast, e përdorin anëtarësinë e tyre në BE dhe veton në BE për të diskutuar historinë në nivele politike, kjo është edhe më e ndërlikuar. E gjithë kjo është një turp që lidhet me zgjerimin, me frymën e deformuar të zgjerimit, mënyrën si funksionon BE, është mekanizëm i vjetruar nuk mund të vazhdojë më kështu. Një vend që merr peng një tjetër. Gjëja më e pakuptueshme është që as ne e as Maqedonia e Veriut nuk po trokasim në derën e BE për t’u bërë anëtarë, po qe se do kërkonim të bëheshim anëtarë që sot, do e kuptoja shqetësimin, ne po kërkojmë të nisim bisedimet për anëtarësimin. Ne jemi kandidatë pa të drejtë për të folur, pro tani duam të flasim. Kjo është pengmarrje për synime të brendshme. Sa herë ka një palë zgjedhje që afrohen në një vend të caktuar, e dimë që do jemi problem, një mafie këtu, disa gangsterë që flasin shqip diku tjetër. Është një proces si brendshëm i të mbajturit larg. BE ka një mekanizëm që quhet Komisioni Europian, makineria më e rëndë burokratike në botë me njerëz që punojnë 24 orë çdo ditë të javës që ndjekin faktet dhe prodhojnë raporte për shtete anëtare që të thonë se një vend ka përmbushur këto e ato detyrime”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se bie dakord me propozimin e Presidentit francez, Emmanuel Macron, edhe pse pranoi që ka nevojë të zhvillohet më tej, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në aspektet politike në Europë. Sipas Ramës, Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së pa të drejtë votimi.

“Duhet të shkojmë në drejtim të propozimit të Presidentit francez duke e  zhvilluar më tej sepse është shumë francez për momentin, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të marrin pjesë në të gjitha veprimet politike të Europës europiane dhe që të kenë mundësi të marrin pjesë në të gjitha përpjekjet drejt sigurisë, ndryshimit të klimës, krizave si pandemia apo ajo energjetike dhe jo të jetë në mes të Europës e të shohë si BE shpërndanë vaksina për mjekët e të moshuarit e vet dhe nuk asnjë të vetme për vendet tona. Na duhet të jemi të integruar si europianë. Na integroni në nivelet politike. Duhet të jemi të pranishëm, të marrim pjesë në jetën politike të Europës”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

I pyetur për faktin se Shqipëria renditet e 103-ta në botë për lirinë e fjalës, Rama u shpreh se realiteti është krejt ndryshe, teksa argumentoi se në vendin tonë jo vetëm që nuk ka censurë, por ka abuzime nga ana e medias.

“Unë njoh vende ku udhëheqësit kontrollojnë titujt në darkë dhe i shohin në mëngjes nëse janë vendosur siç duhet. Nuk besoj se ky është një sekret apo të lë mbresë kur sheh se kjo nuk ndodh në Shqipëri. Unë jam përpjekur fort që ta ndryshoj këtë. Unë kam rrezikuar jetën për lirinë e fjalës. Më është dashur të kaloj ferrin fizikisht sepse kam folur dhe ndonjëherë, nuk mund të rri pa folur përballë gjërave të çmendura që janë rezultat i abuzimit me lirën e fjalës. Por shihni vetëm për 3 ditë shtypin shqiptar dhe kuptoni që jo vetëm nuk ka censurë, as trysuni, por ka një gjë mjaft shqetësuese që është legjitimiteti i plotë i abuzimit me lirinë tënde në dëm të çdo individi që duan të sulmojnë”, u shpreh kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme