Harta e re gjyqësore, diskutime te Ligjet, Llagami: Shkak vakancat në Gjykata! Alibeaj: Sa u dëgjua zëri i avokatëve?

Harta e re gjyqësore ka ndezur diskutime në Komisionin e Ligjeve mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, gjatë prezantimit nga Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami të raportit vjetor të veprimtarisë së KLGJ gjatë 2021. Në fjalën e tij, deputeti Gjiknuri deklaroi se harta e re gjyqësore do të sjellë efiçencë dhe më shumë standartizim.
“Niset nga parimi i shkallës dhe efiçencës. Këto janë çështje teknike. Menaxhimi i fluksit nuk është çështje politike. Hajde të flasim për kriteret dhe një dëgjesë e veçantë mund ta shtjellojë. Rregullimi I hartës do sjellë më shumë efiçensë, më shumë standartizim, edhe për palët për të kuptuar integritetin e procesit gjyqësor. Ka avantazhe dhe disavantazhe. KLGJ e ka kryer misionin e saj Kushtetues. Me interes është si do zbatohet harta e re gjyqësore dhe vitin tjetër do shihnim çfarë mund të korrigjohet dhe si u zbatua. Ky proces ka ndodhur dhe në 2007-2008 pa asnjë lloj kriteri. Mund të ketë një lloj kosto ekstra për disa, por kur trendi është i tillë, standardet janë të tilla, do shihen si mund të trajtohen dhe kostot”, tha Gjiknuri.
Ndërsa deputeti demokrat Saimir Korreshi ngriti shqetësimin se në Gjykatën e Tiranës një zgjidhje martese kërkon 2 vite kohë. Sipas atij Gjykata e Apelit ka një ngarkesë të jashtëzakonshme dhe sipas tij kjo është shqetësuese pasi një drejtësi e vonuar është një drejtësi e munguar. Po ashtu, Korreshi i drejtoi pyetjen Llagamit se cila ka qenë indicia që i çoi në marrjen e vendimit për të lënë vetëm një Gjykatë Apeli në të gjithë Shqipërinë.
“Ishalla nuk i jeni referuar sistemit Italian. Do presim të vdesë pa të merret vendimi i Gjykatës. A duhet të ketë ndërhyrje te kodi i procedurës penale dhe civile për tu dhënë zgjidhje dhe lehtësira procedurave në gjykatë? Me nismën për hartën e re gjyqësore ka mosrakordancë të asaj çfarë ndodh dhe asaj që veprohet në terren. Një zgjidhje martese në Gjykatën e Tiranës sot do dy vjet, një zgjidhje martese në Lushnje do 30 ditë. Po deshën le të mendohen mirë po duan të martohen. Për të mos folur për Apelet. Të gjitha Apelet kanë ngarkesë të jashtëzakonshme… Kjo është shqetësuese se drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar. Duhet t’i dini dhe këto kur vendosni që të shkrini një gjykatë. Ose 6 Apele ti ktheni në 1. Përveçse mungesës së gjyqtarëve. Numri që mungon këtu do nja 40 vjet që ju t’i plotësoni magjistratët me këta të rinjtë. Se aty në Shkollën e Magjistraturës shkojnë 15-20 në vit dhe ata dalin në treg për 3 vjet”, tha Korreshi.
Ndërsa Llagami theksoi se hartën e re gjyqësore, ofrohet një kuadër i mirëfilltë gjyqësor. Llagami theksoi se vakancat e gjyqtarëve çuan në marrjen e vendimit për ‘shkrirje’ të gjykatave,.
“Te harta gjyqësore kemi parë mundësinë e vakancave. Me mbarimin e hartës gjyqësore të shohim kohëzgjatjen e shqyrtimit të vendimeve. Kjo është një situatë jo në normalitet por po përpiqemi maksimalisht. Janë procedura që po aplikohen për herë të parë. Nuk kemi prurje. Nuk aplikojë gjyqtarët në Apel, përveç apelit Tiranë. Nuk kanë interes pasi synojnë Gjykatën e Tiranës. Në gjykatën e Apelit Shkodër nuk aplikoi askush për 4 vite. Ne arritëm në përfundim për hartën e re gjyqësore dhe pas tryezës së rrumbullakët. Për të filluar, është çështje teknike që ligji për pushtetin gjyqësor, por të shkojmë në nenet 14/15, ka definicion për madhësinë e gjykatës, për KLGJ që duhet të ketë seksione. Kush është parashikimi ligjor? Një ligj me 3/5. Ata që kanë punë me gjykatat e dinë se disa gjykata ishin me 4 gjyqtar, që nuk kapnin kriterin ligjor. Edhe ato me 5 nuk e kapnin se duhen 7 gjyqtarë në Shkallën e Parë. Ligji thoshte që përveç këtij kriteri duhet të mbaje parasysh edhe indikatorët. Shqetësimi për gjykatën e Apelit Administrativ e kemi të gjithë. Kemi kërkuar rritje të numrit të gjyqtarëve. Që kur filloi ligji për implementimin tregoi se u kalua një çështje që nuk ishte e kësaj gjykate. Thelbi i krijimit të gjykatave ka lidhje me çështjet e reja që vijnë me çdo gjykatë, sa prurje ka. Po të shohim statistikat e Tiranës që është më e madhja, është një nga gjykatat më efektive. Edhe gjykimi i specializuar nuk dështon. Nuk mund të specializojmë gjyqtarë në gjykata të vogla. Nuk mund të jetë efektiv”, tha Llagami.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj kërkoi më shumë informacion lidhur me grupet e interesit me të cilët janë konsultuar KLGJ dhe sa është dëgjuar zëri i Dhomës së Avokatëve, noterët dhe ndërmjetësit në këtë proces. Prej dy ditësh Dhoma e Avokatisë në Tiranë, Durrës, Kukës, Elbasan , Korçë, Vlorë, Lushnjë, Lezhë, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Sarandë dhe Berat kanë bllokuar punën e gjykatave, duke sjellë anulimin e qindra çështjeve gjyqësore në të gjithë vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




