Hasani: Mbledhja e dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE do mbahet brenda pak javësh

Politikë | 2 vite më parë

Mbledhja e dytë ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë do të mbahet pas disa javësh. Lajmi u bë me dije nga Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët.

Mesa duket qëndrimi bllokues i Greqisë për procesin e bisedimeve nuk do të ndikojë në axhendën teknike, kjo pasi grup kapitulli i parë i përfunduar për integrimin, do të cilësohet i hapur me mbledhjen e dytë ndërqeveritare që do të mbahet në javët e ardhshme.

Hasani deklaroi se grupi punës që udhëheq procesin e legjislacionit është gati edhe për 2 grup kapituj të tjerë.

“Po punojmë që konferenca e dytë të mbahet në javët e ardhshme, fundi I shtatorit-fillimi i nëntorit. Jemi gati. Kemi qenë gati prej 1 viti. Grup kapitulli i parë i përfunduar i negociuar me komisionin dhe pret këtë mekanizëm për t’u cilësuar i hapur. Jemi gati dhe për 2 grup kapituj të tjerë. Pengesat politike të mos ndërhyjë te axhenda teknike. Jam optimist që kjo vjeshtë do çojë shumë gjëra para. Do zhvillojë mekanizma të mirë dhe ne do jemi të përgatitur me konfigurimin e ri të KE-së”, deklaroi Hasani.

Ministri Hasani theksoi se me Greqinë po punohet që të mos pengojë rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke iu referuar çeljes së negociatave të kapitullit të parë.

“Ka shumë tema të hapura me Greqinë. Duam që t’i negociojmë të gjitha e të arrijmë rezultate sa me shpejt. Nëse do të arrijmë diçka tek pensionet jemi gati. Janë shumë kantiere të hapura me Greqinë. Angazhimi ka qenë gjatë këtij viti për çështjen e hapjes së kapitullit të parë. Ka qenë diskret e jo me mikrofona. Jemi në rrugën e duhur. Rrugëtimin evropian të Shqipërisë e shohim dhe me mbështetjen e Greqisë”, u shpreh ai.

Janë bërë tanimë dy vite që kur në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë për nisjen e bisedimeve për antarësim. Por ndërsa vendi përmbyllte procesin e vlerësimit të legjislacionit nga ana e Komisionit Europian, arrestimi në maj të vitit të kaluar i Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasoi me qëndrimin bllokues të Greqisë për procesin e bisedimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme