Haxhiu: Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së, detyrë qytetare dhe institucionale

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare dhe institucionale.
Po kjo mbrojtje thotë Haxhiu nuk duhet të bëhet përmes etiketimit të kundërshtarëve politikë si “spiunë” apo “tradhtarë”, apo përmes shënjestrimit të dëshmitarëve dhe qytetarëve të Kosovës.
“Por askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty ‘spiunë’ e ‘tradhtarë’ kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës. Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër. Kështu, në emër të mbrojtjes, i jepet fuqi vetë akuzës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas Haxhiut, përgjegjësia për dëshmitë dhe veprimet individuale duhet t’u atribuohet personave konkretë dhe jo një populli të tërë.
“Populli nuk dëshmon. Dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake. Prandaj, përpjekja për ta paraqitur një popull të tërë si burim ‘spiunimi’ është e pavërtetë, fyese dhe e rrezikshme. Ajo mbjell frikë, nxit linçim dhe e shndërron dhimbjen në përçarje”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka bërë thirrje që çdo person që posedon të dhëna për individë që kanë dëmtuar ose dëmtojnë interesin kombëtar dhe shtetëror t’i paraqesë ato pranë institucioneve përkatëse.
“Nga ana tjetër, kushdo që ka të dhëna për persona që kanë dëmtuar apo dëmtojnë interesin kombëtar e tash edhe shtetëror, duhet sa më parë t’i paraqesë ato në organet tona të sigurisë e drejtësisë. Sepse këto raste duhet të adresohen në plotni”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se asnjë padrejtësi nuk mund të ndreqet duke shkaktuar një padrejtësi tjetër.
“Vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin që e kanë mbajtur gjallë popullin tonë. Ju bëj thirrje secilit individ që del apo vepron publikisht të tregojë maturi dhe të paraqesë vlerat dhe virtytet që na karakterizojnë si shoqëri dhe si komb”, ka shkruar Haxhiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




