HEC-et private dhe koncesionare prodhuan 40% të energjisë në Shqipëri

Prodhimi i energjisë elektrike i realizuar nga centralet prodhuese të pavarur (prodhues në treg të hapur) dhe ato me përparësi (që përfitojnë nga skemat mbështetëse) për vitin 2021 është 3,618,725 MWh ose rreth 40% e prodhimit total vendas, bëri të ditur Enti Rregullator i Energjisë (ERE), në Kuvend, për vitin 2021.
Sipas entit numri i centraleve prodhuese të pavarur dhe ato me përparësi të cilat kanë prodhuar energji elektrike është 235. 8 prej tyre janë prodhues të pavarur të cilët zotërohen nga 3 subjekte të licencuara, kurse pjesa tjetër prej 226 centrale janë prodhues me përparësi të energjisë elektrike të cilët zotërohen nga 174 subjekte në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike.
Në këtë listë është përfshirë edhe HEC Lanabregas me kapacitet të instaluar 5 MW dhe prodhim vjetor për vitin 2021 prej 27504 MWh, aksionet e të cilit janë 100% shtetërore. Në total, kapaciteti i instaluar i centraleve prodhuese të pavarur dhe prodhuesve me përparësi është 1,157 MW, ku kapaciteti i instaluar i centraleve të prodhuesve të pavarur është 436 MW, kurse 721 MW i përket centraleve të prodhuesve më përparësi të energjisë elektrike përfshirë dhe HEC-in Lanabregas.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




