Hegseth kritikon Evropën për emigrantët: Merrni masa më të forta kundër emigracionit të paligjshëm

Botë | 5 muaj më parë

Nga Normandia, ku mori pjesë në ceremoninë për 82-vjetorin e zbarkimit të aleatëve në brigjet franceze që luftuan kundër forcave naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, shefi i Pentagonit Pete Hegseth i bëri thirrje Evropës të marrë masa më të forta ndaj atij që e cilësoi pushtim të vijës bregdetare nga emigrantët.

“Fatkeqësisht, sot plazhe të ndryshme evropiane po sulmohen nga ideologji të rrezikshme. Në Spanjë, Itali, Greqi e Bullgari mbërrijnë anije me njerëz. Kur do të bëjnë diçka kryeqytetet evropiane në lidhje me atë pushtim? Apo është tepër vonë?” – deklaroi Hegseth duke iu referuar zbarkimeve të emigrantëve, ndërsa përsëriti argumentet e administratës  Trump se emigracioni masiv përbën kërcënim për qytetërimin evropian.

Gjatë fjalimit në varrezat ushtarake amerikane në Colleville-sur-Mer në Normandi, Hegseth u bëri gjithashtu thirrje aleatëve evropiane të shtojnë kontributin e tyre në mbrojtje. “SHBA do të udhëheqë, por aleatët tanë duhet të jenë krah për krah me ne në çdo situatë të rëndësishme”, theksoi ai, duke nënvizuar se aleancat duhet të bazohen në veprime konkrete dhe sakrifica të përbashkëta, jo vetëm në deklarata politike.

“Le të mësojmë nga e kaluara”- u shpreh shefi i Pentagonit duke iu referuar përfshirjes vendimtare të trupave amerikane në operacionin e 6 qershorit 1944, kur mbi 130 mijë ushtarë aleatë nga SHBA-ja, Britania, Kanadaja dhe vende të tjera zbarkuan në brigjet franceze dhe i hapën rrugën çlirimit të Evropës nga Gjermania naziste.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme