Hetimi parlamentar i 25 prilllit, PS-PD përplasen për mbledhjen e Komisionit

Partia Demokratike akuzon Partinë Socialiste se po përpiqet që të zvarrisë punën e komisionit parlamentar të ngritur për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj tha se mbledhja ishte thirrur me dakordësinë e socialistëve në orën 15:00, por nga PS nuk u paraqit asnjë anëtar. Sipas PD, arsyeja e vetme për këtë bojkot është sabotimi i punës së këtij komisioni.
“Duket fare qartë se mungesa e arsyeve, justifikimeve, sepse ata nuk patën fare arsye pse mungonin, duket që është një strategji e pastër, e qartë obstruksionizmi, për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Unë e kuptoj fare mirë, realisht jemi komision maxhorancë-opozitë, por realisht ata që janë nën akuzë jo vetëm prej nesh, por edhe dokumentave ndërkombëtare por edhe ajo që ka parë publiku, është pikërisht kjo pjesë e maxhorancës.”, tha Alibeaj.
Nga PS reagoi zv.kryetari i Komisionit, Toni Gogu. Sipas tij, mbledhja e sotme ishte shkelje e rregullores dhe mirëbesimit mes palëve dhe se komisioni nuk kishte votuar për këtë mbledhje.
“Përcaktimi i mbledhjes së ardhshme të Komisionit ishte pika e fundit në rendin e ditës dhe nevojitej të votohej nga Komisioni. Në kushtet e pamundësisë së votimit nga Komisioni të kësaj pike të rendit të ditës dhe njoftimit nga sekretaria në kohë të papërshtatshme dhe të padakordësuar, ndërkohë që kemi planifikuar aktivitete në zonat elektorale, u kemi propozuar kolegëve të opozitës ta vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




