Hetimi/ Stafi i NHS raporton 20 mijë pretendime për ngacmime seksuale të pacientëve gjatë 2017-2022

Stafi i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor i Mbretërisë së Bashkuar, ka raportuar 20 mijë pretendime për sjellje të pahijshme seksuale të pacientëve gjatë viteve 2017-2022.
Sipas një hetimi nga The Guardian dhe British Medical Journal (BMJ), mijëra personel spitalor kanë raportuar pretendime lidhur me sulme dhe ngacmime seksuale nga pacientët, teksa bëjnë thirrje ndaj ministrave që të adresojnë “kërcënimin e përditshëm të abuzimit” me të cilin përballen mjekët dhe infermierët.
Akuzat përfshinin pretendime për përdhunim, sulm seksual, ngacmim, përndjekje dhe komente të seksualizuara.
Deeba Syed, një zyrtare e lartë ligjore në linjën e ndihmës për të Drejtat e Grave tha se “Gratë na thonë se pritet të vazhdojnë të kujdesen për pacientët që abuzojnë ose ngacmojnë pa bërë përpjekje për t’i mbrojtur ata në mënyrë adekuate nga ngacmimet e mëtejshme”.
Syed u shpreh se gratë ndihen nën presion që të mos ngrenë ankesa formale, dhe transferohen në departamente të ndryshme, duke iu argumentuar se kjo është më e përshtatshme se lëvizja e pacientit ngacmues.
“Ne dëgjojmë raporte shqetësuese të grave që ndihen nën presion që të mos ngrenë ankesa formale dhe në vend të kësaj të transferohen në departamente ose vende të ndryshme. Ata na thonë se argumentohet se kjo është më e përshtatshme se lëvizja e pacientit ngacmues, pavarësisht se viktimat mendojnë se kjo është e pasigurt për të tjerët dhe një ndëshkim për ta”, tha Syed.
Hetimi i Guardian dhe BMJ zbuloi se trustet regjistruan 35,606 incidente të sigurisë seksuale, të dyshuara të kryera nga stafi, pacientët ose vizitorët në spitalet e NHS në Angli midis 2017 dhe 2022.
Ndërsa shumica ishin raste të abuzimit pacient-në-staf, gati 7,500 ishin pretendime për pacientë që abuzonin me pacientë të tjerë dhe më shumë se 3,000 ishin raste të stafit që abuzonte me pacientët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



