‘Hetuat Dvoranin se donte Meta’, Presidenca-Ramës: I bën thirrje SPAK të mos shkel vijën e partisë

Politikë | 5 vite më parë

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur deklaratave që kryeministri Edi Rama bëri gjatë Asamblesë së PS  se “Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut Ilir Metën”. Blushi thotë se këto thirrje të Ramës për drejtësinë janë që SPAK të mos shkelë vijën e partisë, ndërsa ngre pyetjen se çfarë e mban peng që të kthehet në avokatin e Dvoranit?

“Të gjithë shqiptarët mezi po presin të dinë çfarë e mban peng “Dvoranin” e Qeverisë tek Dvorani i “Drejtësisë”?

Të gjithë shqiptarët e dinë se:

1.Dvorani pengoi me çdo mjet, qëllimisht dhe për llogari vetëm të Ramës, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke falsifikuar, manipuluar e shkelur Kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, vetëm e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e Ramës.

2.Dvorani u provua zyrtarisht se fshehu pasurinë.

3.Por Vettingu i partisë në mënyrë skandaloze dhe të paligjshme mbylli sytë për këtë fshehje të pasurisë dhe ky është fakt që nuk mbulohet dot kurrë.

4.Shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit për Dvoranin e partisë-shtet i vërtetoi botërisht edhe Komisioni i Venecias.

5.Nëse do të ekzistonte vërtet Reforma në Drejtësi, Dvorani do të duhej të ishte i pari përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.

Të gjithë shqiptarët duan të dinë çfarë e detyron Ramën, Kampionin e Korrupsionit që e ktheu Shqipërinë një narkoshtet dhe të dytin në botë për korrupsionin, që të kthehet në Avokatin e Dvoranit?

Është e qartë, se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja.

Rama-Dvorani dhe Dvorani-Rama binomi i pandarë i anti-shtetit, dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit, falsifikimit të dokumenteve zyrtarë dhe kapjes së shtetit për llogari të partisë.

Koha e “opozitarizmit” të tredhur nga korrupsioni qeveritar po skadon me shpejtësi. Ç’kapja e shtetit nis nga ç’kapja e opozitarizmit.

Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e skandaleve të narkoqeverisë sado të gulçojë gruaja e Bilalit!”, shkruan Blushi.

Gjatë Asamblesë së PS, Rama kritikat ndaj SPAK i përqendroi edhe për Ilir Metën lidhur me hetimin e  ish-kreut të KED, Ardian Dvorani, që sipas Ramës e gjitha kjo është bërë sepse kështu ka dashur presidenti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme