Hidhet molotov drejt Bashkisë Tiranë dhe digjen goma makinash, opozita përsërit skenarin e protestave

Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë protestuar sërish këtë të martë (4 qershor) para Bashkisë Tiranë, ku kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Edhe këtë herë në proteste është ndjekur i njëjti skenar, pas fjalës së protestuesve në drejtim të Bashkisë Tiranë është hedhur molotov dhe janë djegur goma makinash.
Kjo është protesta e 10-të e opozitës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë së Tiranës, ku tensionet me efektivët e policisë dhe hedhja e molotovëve kanë qenë të pranishme.
Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erijon Veliaj në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar, inceneratorin e Tiranës si dhe dosjen 5D për arrestimin e 3 ish-drejtorëve të Bashkisë, pas abuzimit me tenderat për përfitime personale.
Në fjalën e tij para mediave, Dorian Teliti akuzoi qeverinë se po zhduk pronën publike dhe po tjetërsojnë pronën private
“Edi Rama dhe Erion Veliaj janë përfshirë në një strukturë kriminale, që po abuzon me të tashmen dhe të ardhmen, që po shkatërron jetën e shqiptarëve. Zhdukën edhe 132 milionë të inceneratorit të Tiranës. Taksat janë rritur nga 2 deri ne 10 herë. Ku janë këndet e lojërave? Sot nuk kam asnjë lulishte që të nxjerr vajzat e mia të luajnë. Do të protestojmë deri në mosbindje civile, deri sa të shporrim këtë diktaturë”, tha Teliti.
Në protestën e fundit, opozita hodhi molotov duke rrezikuar jetën e policëve, gazetarëve e qytetarëve, akte të cilat janë dënuar nga SHBA-BE-Britani e Madhe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




